Mësimet e një emisioni
Shkruan: Fatlum SADIKU
Në thelbin e diskursit së një politikani, nuk qëndron mendimi, por veprimi. Jo e vërteta, por gjysmë e vërteta, dhe jorralleherë edhe e rrena. Politika më shumë sesa që mendon, vepron. Vërtet ushtrimi i politikës mendohet nga Akademitë që përbëjnë boshtin antologjik se kah atashohet/orientohet mendimi politik i politikanëve të një një kombi, por as ne e as Shqipëria s’kemi traditë të shkollës politike, dhe diçka e tillë është luks për ne. Diskursi politik i takon fushës se partikularizmave ditorë. Rrjedhës së ditës. Jo mendimit të situr e akademik.
Pse Netanjahu ka ndonjë pedigre morale ? Netanjahu është një katil serik që bota i’a dëgjon kutet. Njejtë si Assadi. Edhe Putini e Obama janë katilë serik. Kurse Erdogani njeri që njëkohësisht vajton e pranon sirianët, por që edhe ulet në tavolinë me vrasësit e tyre. Sarkozy s’të linte kurrfarë përshtypjesh akademike. Dukej më shumë si një sharllatan që s’mund të besoje se ka dalur nga shkolla franceze. Për shumë të praruarin Çeda Jovanoviq, nuk tregohet se si kishte ofenduar me “siptar” Haki Eminin, një shqiptar nga Medvexha, anëtar i kahershëm i partisë së tij. Të mos hyj këtu tek kredoja morale a gjuha e Vuçiqave e Gjuriqave.
Por ku po dua të dal me këto. Te fakti se nga një politikan nuk mund të presësh versete nga Bibla, Kurani a Torah. As shitje induligjencash. As poetikë të Hölderlinit a Rilkes. Edhe nëse u dalin nga gojët gjëra të këtij soji, e kanë për kute politike. Rama është një politikan, jo nxënës i akademisë së Platonit, ku ndalohej hyrja nëse s’dije gjeometri. E shumta mund të merret si lexues praktik i Makiavellit. Fundja a nuk jemi populli i njejtë që disi me njëfarë nënkuptimi felin, e merrnim Berishën, “pak për t’hupt, po s’ka lidhje”, teksa politikanët gojtarë na duken se vazhdimisht po rrejnë? Duket pra se ky milet me gjasë i do Idriz Ajetin e Fehmi Aganin që mezi flisnin, e që krejt çka na sollën janë dofarë daljesh publike për konferenca.
Në thelbin e gazetarisë, thellë-thellë qëndron thashethema përkatësisht rënia pas gjurmëve të (pa)saktësisë së një lajmi a dyshimi. Madje tek ne jo thellë-thellë, por mjedis fushe, në zemër të saj. Kjo nuk do të thotë se thashethema s’mund të jetë reale ashtu siç deklamohet, apo se gazetaria është profesion pa lavd. Jo bota, nuk mund të paramendohet pa ta. Por sot, për mendimin tim ky profesion po lufton seriozisht të ruaj diçka nga magjia e vet, kryesisht në atë të raportimit nga vendet e luftës dhe zbulimeve serioze të skandaleve.
Baton Haxhiu edhe mund ta ketë të parën, por nuk e ka kurrë të dytën (nga e cila patëm diçka por që shpejt u hesht). Kjo sepse Baton Haxhiu, nuk është qëndrestar i kohërave, por njeri i devrit. Jo njeri që i qëndron kohës, por njeri i të gjitha kohrave. I devër-dynjasë. Si të jetë devri, njashtu edhe Batoni. Ka pasur mësues të mirë: Surroin, Maliqin, Zatriqin. Madje në komemoracionin e djeshëm të këtij të fundit, Zatriqin e quajti politikan. Ske se si të mos pajtohesh. Njejtë është edhe vetë. Të kesh monopol medial për gati 30 vite flet diçka.
Në thelbin e atashimit të një studenti duhet të jetë i ngulitur pyetësimi dhe kërkimi, jo pjesëmarrjet prej hutini. Pyetja dhe kërkimi i përgjigjes se çfarë kërkoj në një emision të një njeriu që ka përshkuar edhe devrin e babait tim? E vërtetë, vetë Rama ka karrierë politike sa vetë vjetët e atyre studentëve të IPSE-së, por nëse s’ke çka i bën Ramës, pyete bile njëherë veten përse të përshkohet jeta nga dikush si Batoni. Tjetra, teksa të bombardon në fakultet me dijetari mbi BE-në, cili është qëndrimi i Mazrekut ndaj Prontos ? E jo të marrësh pjesë si hutini.
Në thelbin e shikuesit/dëgjuesit të emancipuar duhet të konsistoj qytetaria. Por para kësaj vetëdija se është i manipuluar dhe i braktisur. Ta kujtoj diku nga Shkolla e Mesme, edhe më e lodhura në past qenë, lëndën e Ekonomisë, respektivisht kapitullin mbi koncentrimin e kapitalit. Pse Prishtina duhet të jetë vetë Kosova? Ta pyes veten kur për herë të fundit ka ndryshuar për së mbari diçka në qytezën e tij, para se të gjykojë për Ramën.
Mësimi i nxjerrur: nuk heqim keq për politikanë, por për qytetari, student kërkues, e ç’monopolizim medial.