‘Mesazhet e Grenellit ishin të duhura’: Tri arsyet që çuan në rënien e Kurtit, sipas profesorit të shquar amerikan

‘Mesazhet e Grenellit ishin të duhura’: Tri arsyet që çuan në rënien e Kurtit, sipas profesorit të shquar amerikan

Tri arsye për rënien e mbështetjes së Kurtit: ekonomia në gjendje të rëndë, marrëdhëniet e tendosura me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, karta e nacionalistit që shqiptarët e Kosovës mund ta kenë parë më shumë të dëmshme se sa që të ketë prodhuar dobi.

Këto janë tri vështrimet e Charles Kupchan, profesorit të shquar dhe studiuesit të lartë në Këshilin për Marrëdhënie me Jashtë (CFR), në lidhje me rënien e Albin Kurtit prej dhjetë përqind në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë.

Kupchan artikuloi hollë-e-hollë në median greke “Ekathimerini” krejt peisazhin dhe perspektivën kosovare karshi botës perëndimore dhe ia lexoi Kurtit , siç tha ai, si “krejtësisht budallallëk” qasjen konfrontuese ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Për më tepër, sipas Charles Kupchan, porositë e Richard Grenell “ishin të duhura”.

Kjo referuar mesazheve në “X” të këtij të fundit se marrëdhëniet Kosovë – ShBA janë në pikun më të ulët në tridhjetë e pesë vitet e fundit, përkatësisht, prej kur Kosova kishte qenë çështje për ShBA-të.

Tri arsyet e rënies, sipas Kupchan:

Një: “Kurti e vuajti të njëjtin fat si të gjithë ata që janë në qeverisje, që do të thotë, nuk kreu punë mirë edhe aq. Lajmi i mirë për Kurtin është se partia e vet doli e para mbi 40%, që do të thotë se mund të qëndrojë në zyrë varësisht se a mund të ngrejë ndofarë koalicioni”.

“Çështja e parë është te ekonomia, dhe ekonomia e Kosovës nuk është në gjendje të mirë. Ka shumë varfëri, të hyra të pakta për kokë banori – dhe besoj se kjo ishte ngreja poshtë kryesore ndaj popullaritetit të Kurtit”.

Dy: “Faktori i dytë ai luajti kartën e nacionalistit, mori linjë të ashpër kur puna ishte te serbët etnikë, mbyllja e strukturave paralele, duke bërë ndryshime të shumta që në disa mënyra kanë shqetësuar status-quon, dhe kanë ngrirë dialogun me Serbinë.

Por, më me rëndësi për votuesin mesatar kosovar, marrëdhëniet e tendosura me ShBA-në dhe BE-në.

Dhe ne e dimë që nacionalizmi në përgjithësi është një lojë që dhez (sjell rezultate), por për një vend të vogël e të cënueshëm si Kosova, ku njerëzit e dinë se u nevojitet ndihmë nga jashtë e në veçanti ndihmë nga ShBA-ja dhe BE-ja, dhe unë mund të supozoj se njerëzit ia kanë shtruar pyetjen vetes që ‘hej, a na ka bërë mirë ky kështu?’. Kështu që, kjo me të luajturin e nacionalistit mbase mund të ketë mërë më shumë dëm se sa dobi”.

Tre: “Jemi ende në një fazë të hershme të kësaj administrate për ta ditur, dhe po dëgjojmë se administrata dëshiron të shkëputet pak nga Evorpa dhe të fokusohet në Azi…

Grenelli para pak kohe bëri disa komente qortuese ndaj Kurtit, e bëri të qartë se ka parë stilin konfrontues politik të Kurtit si gjë që nuk ndihmon. Dhe tash që është dikush si Trump, që është në themel tranzaksional, mund të jetë porosi për Kurtin që të merr qëndrim më konstruktiv, ose mund të paguajë çmim të madh.

Marrëdhëniet ulët? A mundet Kosova pa Uashingtonit?

“Oh, jo. Dhe kjo shkon prej të nëntëdhjetave në Jugosllavi…dhe ShBA-ja ishte ajo që mori primatin me NATO dhe ndaloi spastrimin etnik në Kosovë dhe e çoi Kosovën në shtet të pavarur. Ju e dini, ShBA-ja ka status heroi në Kosovë…

Është krejtësisht budallallëk që liderët kosovarë të marrin hapa që marrëdhëniet të jenë konfliktuoze me Uashingtonin. Sepse në fund të ditës ShBA-ja është krahas BE-së, bastit më të madh të Kosovës për të ardhmen…në institucionet Euro-Atlantike ku synon Kosova.

Prandaj, mesazhi që Grenelli dërgoi është edhe i duhuri.

Mendoj se ka gjasa që Kurti tash do të ketë vëmendjen…dhe se tash pas zgjedhjeve mund të ndihet se s’ka pse i bjen tupanit të nacionalistit, në mënyrat siç bëri.

Dhe , numër dy, duke supozuar se qëndron në pushtet, do të jetë me partner koalicioni – dhe spektri politik në Kosovë ka qenë kritik ndaj tij…”

Shpërndaje në: