Mes tensioneve, Sekretari Rubio do të takohet këtë javë me zyrtarë ukrainas në Arabinë Saudite

Mes tensioneve, Sekretari Rubio do të takohet këtë javë me zyrtarë ukrainas në Arabinë Saudite

Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio do të jetë në Jeddah, Arabinë Saudite, nga e hëna deri të mërkurën këtë javë për t’u takuar me homologët e tij ukrainas, njoftoi të dielën Departamenti i Shtetit, raporton CNN.

Gjatë udhëtimit, Rubio do të takohet me zyrtarë ukrainas “për të çuar përpara qëllimin e Presidentit për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë”, sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.

Takimi në Arabinë Saudite vjen ndërsa të dy vendet punojnë për t’i rivendosur marrëdhëniet e tyre në baza solide pas shpërthimit të muajit të kaluar në Zyrën Ovale midis Presidentit të SHBA Donald Trump, Zëvendës Presidentit JD Vance dhe Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

I dërguari special i Trump për Lindjen e Mesme Steve Witkoff u tha më parë gazetarëve se zyrtarët amerikanë dhe ukrainas planifikojnë të takohen këtë javë në Arabinë Saudite.

“Epo, presidenti Zelensky i dërgoi një letër presidentit. Unë mendoj se presidenti mendoi se ishte një hap i parë me të vërtetë i mirë, pozitiv… Dhe unë mendoj se ideja është që të arrihet një kornizë për një marrëveshje paqeje dhe një armëpushim fillestar”, tha Witkoff.

Takimet e tjera të Rubios: Bruce njoftoi gjithashtu se Rubio do të takohet me princin saudit të kurorës Mohammed bin Salman “për të diskutuar mënyrat për të avancuar interesat e përbashkëta në rajon dhe për t’i forcuar marrëdhëniet SHBA-Saudi”. Mbretëria ka qenë mikpritëse e bisedimeve kyçe të SHBA-së si për konfliktin e Ukrainës ashtu edhe për luftën në Lindjen e Mesme.

Rubio më pas do të udhëtojë në Charlevoix, Kanada, për t’u takuar me homologët e tij të G7 në takimin e Ministrave të Jashtëm të G7. Bruce tha se diskutimet do të “përqendrohen në konfliktet në Lindjen e Mesme dhe Europë, bashkëpunimin në Afrikë dhe Indo-Paqësorin dhe stabilitetin në hemisferën perëndimore”.

Shpërndaje në: