Mes mexhave në ara dhe një djali të domosdoshëm që duhet ta nxjerrim nga mitra

Mes mexhave në ara dhe një djali të domosdoshëm që duhet ta nxjerrim nga mitra

Më shumë se 20 burra, para pak ditësh ishin ulur në një tryezë në Vushtrri, për të diskutuar të drejtat e grave. Aty ishte vetëm një grua. Lajmet e politikanëve me gratë më të bukura i hasim çdo ditë. Ato nuk ‘shquhen’ në përmbajtjen tonë mediatike për diçka tjetër. Për çka e njihni Lumnije Thaçin ose Violeta Veselin? Për çka e njihni Rita Kndusen? A ju kujtohet më shumë Anita Haradinaj si vajza e Mustafë Muçajt dhe gruaja e Ramush Haradinajt, apo si një spikere lajmesh në RTK?

Unë e njoh Lumnijen se ka doktorruar diku, por nuk e di ndonjë rol të saj përtej këtij titulli ‘fotozhenik’. E njoh Violetën nga fotografitë me bashkëshortin e saj, Kadri Veseli dhe ‘shmekerizmin’ e tij që e merr dorë për dore nëpër shesh e gjetiu. E njoh Ritën nga puthja e famshme me Albinin, kur po vënin kurorën e martesës.  Lumnija më sjellet në mend shpesh edhe me fotografitë në pazarin e Prishtinës me Hashim Thaçin (Pra gruaj është për pazar). Violetës, më kujtohet se i ka shkuar një libër nga Kadri Veseli me disa receta gatimi (Pra gruaja duhet të njihet si një kuzhiniere e mirë). Dhe ja këtu. Këtu merr fund përralla jonë për të drejtat e vajzave, për të drejtat e gruas. Ato duhet identifikuar gjithmonë me kuzhinën, recetat e gatimit, pazarin e patateve, puthjet e dashurisë në ditën e kurorëzimit.

Dhimbja është më e thellë.

Përtej patriarkalizmit institucional që na shfaqet nga ‘burrat e dheut’ në krye të shtetit ose përcaktues politikash, kemi edhe disa organizata qesharake për vajzat. Ato janë të prira të nxjerrin disa storie suksesi për të arsyetuar veprimtarinë e tyre biznesore si Organizata. Nxjerrin portrete femrash të suksesshme në revistat e tyre bajate. Organizojnë seminare në Prevallë dhe nga atje na shfaqen me ‘selfie’ e jo me ndonjë konstatim takimi. Mendojnë se me fotografinë e një ambasadoreje, do ta frymëzojnë ‘revolucionin vajzëror’. Do t’i frymëzojnë femrat e shtypura nëpër fshatra, të cilave, para se t’u thoni se u takojnë mexhat nëpër arat e vendlindjes, duhet t’u tregoni se u takon edhe shkollimi.

Dhimbja bëhet edhe më e thellë/ Një rrëfim personal.

Unë kam një vajzë gati 2 vjeçe. Pres edhe një vajzë tjetër. Fjalia e cila më ka përcjellur gjatë muajve të shtatzanisë, është: Vajzë apo djalë? Vajza a? Shnosh…

Ngjyrimi emocional në të shprehur që fitojnë të afërmit, rrethi ynë shoqëror e madje edhe shtresa ‘intelektualësh’ (nëse kemi punë me ta, ta zëmë), kur kuptojnë se në mitrën tonë po rritet vajza e dytë, është me tonin keqardhës. Edhe të urojnë shëndet. Pra, kjo nënkupton, se sikur ‘të jemi shnosh’, mund të provojmë pafundësisht që mitra jonë ta nxjerr një djalë një ditë në dritë…

A mund të flasim se të tillët do të na ‘ndajnë’ një ditë mexha në vendlindje? Apo se do ta trajtojnë njëjtë me djalin?

Meqenëse kjo ditë qenka pas caktuar me një Rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB’së, ky po qe se është problem botëror.

Derisa bota me ne të ecë përpara në zgjidhjen e këtij problemi, neve na mjafton të na shkojnë lotët rrëke me këngët “Kush ka vajza botën ka”, një farë shkarravine melodike e Medës ‘që po ia jep çikën dikujt edhe me ia ru se e kallë Kosovën” e edhe me Beyoncen ‘Who run the world, girls…girls”.

 

 

 

Shpërndaje në: