Merret vendimi për kanabisin mjekësor, përcaktohen zonat në Shqipëri ku do të mbillet

Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave javën e shkuar, këtë të mërkurë është botuar në Fletoren Zyrtare vendimi “Për miratimin e zonave kadastrale në të cilat lejohet kultivimi i bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale”.
Për zbatimin e këtij vendimi ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Brendshme, Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Kanabisit në Shqipëri dhe subjektet e lejuara.
Këtë vit është parashikuar që të nisë edhe licencimi i subjekteve që do të lejohen të kultivojnë kanabis.
Më 10 janar, qeveria përcaktoi kriteret dhe rregullat për kultivimin e kanabisit.
Në vendimin e Këshillit të Ministrave theksohet se parcelat e tokës për kultivimin e bimës së kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale nuk mund të shtrihen brenda kufirit të zonave të mbrojtura, zonave me përparësi për zhvillimin e turizmit, pyjeve, kullotave, livadheve, zonave ushtarake dhe atyre të përcaktuara si sistem urban në dokumentet e planifikimit vendor të territorit.
Më tej, në vendimin e qeverisë thuhet se këto parcela për kultivimin dhe rritjen e kanabisit duhet të jenë në largësi prej të paktën 3 kilometrash në rrugë ajrore nga parqet e bletëve, zonat ushtarake dhe pasuritë/pronat në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Mbrojtjes.