Mercedes GLE tregon fytyrën
Pas premierës së modelit të tij të parë plotësisht elektrik SUV, Mercedes ka nisur prodhimin e modelit konvencional.
Prodhuesi gjerman ka përgatitur një video ku paralajmëron premierën SUV GLE.
Video nuk zbulon shumë, por në xhirim mund të shihet pjesa e përparme e automjetit me drita speciale LED, transmeton KosovaPress. Detajet zyrtare teknike për momentin nuk janë bërë të ditura, por pritet që gjenerata e re e Mercedes SUV të marrë motorin 3.0 litra me gjashtë cilindra me teknologji EQ Boost, e cila rrit fuqinë e motorit benzinë.
Vetë agregati benzinë siguron 376 kuaj fuqi, ndërsa EQ Boost siguron edhe 22 kuaj fuqi shtesë.
Në Evropë nuk do të mungojë as versioni në dizel, sikurse është motori me gjashtë cilindra 3.0 me 286 kuaj fuqi, ndërsa përmendet edhe njësia më e fuqishme dizel me 340 kuaj fuqi.
Më vonë, në ofertë do të gjendet edhe versioni sportiv nga kuzhina e Mercedes-AMG, me shenjat GLE 53, GLE 63 dhe GLE 63 S.
Më i fuqishmi prej tyre do të jetë me motor 4.0 V8 me 612 kuaj fuqi. Ende nuk dihet se kur do të mbahet premiera e Mercedes GLE, ndërsa rasti i parë për këtë mund të jetë salloni i ardhshëm i veturave në Paris, i cili mbahet kah gjysma e tetorit.