Menendez – senatori “favorit” i Osmanit e Kurtit – dënohet për korrupsion
Bob Menendez, njëri nga senatorët më “favorit” të liderëve aktual institucional të Kosovës, kjo për shkak të mbështetjes ndaj politikave dhe qëndrimeve të autoriteteve kosovare në raport me Serbinë dhe procesin e dialogut, u shpall fajtor për 16 akuza të lidhura me një skemë ku ai merrte ryshfet në këmbim të ndihmës ndaj qeverive të huaja.
Senatori amerikan nga radhët e Demokratëve, me të cilin si presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ashtu edhe kryeministri, Albin Kurti takoheshin në çdo forum ndërkombëtar ose në çdo vizitë të tyre në SHBA-të duke e falënderuar atë nga zemra, ishte duartrokitur e cituar nga përkrahësit e pushtetit dhe nga eksponentë të ndryshëm të Lëvizjes Vetëvendosje – partia në pushtet – për shkak të qëndrimit të tij në raport me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Gjatë një sesioni të Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Menendez kishte kritikuar qasjen amerikane në raport me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.
Sipas tij në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “jo të gjitha palët po dialogojnë me mirëbesim”.
Ai kishte kritikuar politikën amerikane se nuk po ushtron presion adekuat ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili sipas tij po vazhdonte të përqafonte narrativa nacionaliste.
Menendez për qëndrimet e artikuluar në Komitetin për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan ishte falënderuar ngrohtësisht nga presidentja Osmani.
“Një falënderim nga zemra për senatorin Bob Menendez për lidershipin e tij, angazhimin e palodhur dhe angazhimin e palëkundur ndaj demokracisë në Ballkanin Perëndimor”, shkruante Osmani.
Çfarë ndodhi?
Ish-kreu i Komitetit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin Amerikan ishte deklaruar i pafajshëm, ndërsa avokatët e tij ishin përpjekur të argumentonin se dhuratat që ai pranoi nuk kualifikoheshin si ryshfet, sepse prokurorët nuk kishin arritur të provonin se ai ndërmori ndonjë veprim specifik si rezultat i marrjes së tyre.
Avokatët e Menendez, siç raportoi prestigjiozja britanike, BBC, janë përpjekur t’ia kalonin fajin gruas së Menendez, Nadine Arslanian Menendez, duke e portretizuar atë si një person me probleme financiare, e cila shpresonte të “merrte para dhe asete në çdo mënyrë që të mundte”.
Gruaja e Menendez gjithashtu përballet me akuza për korrupsion, por gjyqi i saj u vonua në mënyrë që ajo t’i nënshtrohej trajtimit të kancerit të gjirit.
Ajo, po ashtu, ishte deklaruar e pafajshme.
Dy biznesmenët, Wael Hana dhe Fred Daibes, janë duke u gjykuar, po ashtu, me akuzat se i janë afruar senatorit për ta bindur që të ndihmojë ilegalisht Qeverinë e Egjiptit dhe të sigurojë miliona dollarë prej një fondi të Katarit për investime.