Menaxheri i Kombëtares: Nuk kemi dështuar vazhdimisht, po veç në vitin 2023
Menaxheri i Kombëtares së Kosovës, Bajram Shala ishte mbrëmë mysafir në T7, ku prej temave të shumta që u diskutuan, foli edhe për gjendjen aktuale të Kombëtares, por edhe për rrjedhën e saj që nga pranimi në UEFA e në FIFA.
Shala insiston se “Dardanët” nuk kishin dështime të vazhdueshme, duke e përmendur vetëm vitin që shkoi si dëshpërues dhe dështues.
Ai ndër të tjera i përmendi edhe faktorët që kanë ndikuar në rezultatet e zbehta të Verdhekaltërve në kualifikimet e fundit.
“U tha disa herë se kemi dështuar vazhdimisht, unë nuk konsideroj se kemi dështuar vazhdimisht deri tash. Ne e kemi pasur një kampanjë kualifikuese për Botërorin ‘Rusia 2018’ ku e kemi marrë veç një pikë, po është e vërtetë. Mund të jenë rezultate të pafavorshme, mirëpo ka pasur shumë faktorë që kanë ndikuar në atë ecuri atëherë duke filluar prej mospërvojës, qoftë si ekip, qoftë i lojtarëve individualisht, pastaj kushteve në të cilat kemi punuar, mungesës së stadiumit dhe shumë faktorë të tjerë. Kjo ka qenë kampanja e parë kualifikuese dhe nuk ka qenë absolutisht e suksesshme dhe diçka për t’u krenuar.”