Memli Krasniqi: Mundësia për shpërndarjen e Kuvendit është shterrur
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka njoftuar se se mundësia për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme tashmë është ezauruar. Krasniqi, në një konferencë për media tha se thirrja dhe propozimi i PDK-së për koordinim mes partive më të mëdha politike lidhur me këtë proces nuk e ka gjetur mbështetjen e nevojshme.
“Unë mund të hamendësoj për arsyet e gatishmërisë deklarative së partisë në pushtet për të shkuar në zgjedhje të parakohshme, por vërtetë jam i habitur nga mosgatishmëria e partive opozitare për ta bërë një gjë të tillë, sepse mos shkuarja në zgjedhe efektivisht po ia zgjatë mandatin pushtetit aktual. Më lejoni të ritheksoj se Partia Demokratike e Kosovës ka qenë dhe është gjithmonë e gatshme për cilindo variant që mundëson zgjedhje të parakohshme dhe largimin e kësaj Qeverie”, është shprehur kreu i PDK-së.
Krasniqi theksoi se edhe për PDK-në dorëheqja ka qenë mënyra e preferuar e shkuarjes në zgjedhje, por mundësi reale në tavolinë ishte vetëm shpërndarja e Kuvendit.
“Prandaj, duke parë nevojën e madhe që vendi të shkoj në zgjedhje, për ne kishte më shumë rëndësi qëllimi sesa mënyra. Gjatë kësaj periudhe, PDK ka dëshmuar seriozitetin e saj për t’i dhënë fund keqqeverisjes dhe gatishmërinë e saj për zgjedhje të parakohshme në shumë raste. Këtë e dëshmuam edhe kur nominuam si kandidat për Kryeminsitër Bedri Hamzën me 27 mars të këtij viti. Këtë e dëshmuam edhe të premten, me 24 maj, kur PDK u paraqit në sallën e Kuvendit për t’iu përgjigjur rezolutës së AAK-së për shkarkimin ose dorëheqjen e Qeverisë. Këtë e ridëshmuam për të satën herë edhe përmes letrës së fundit që u dërgova kryetarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës”, tha ai.
Krasniqi tha se angazhimi i shtuar i PDK-së për t’ia shkurtuar mandatin Qeverisë Kurti, për shkak të stagnimit të shtetit në të gjitha nivelet dhe funksionet e tij, para se të jetë kërkesë partiake, është nevojë qytetare.
“Në tri vitet e fundit, jemi dëshmitarë të një stagnimi të madh ekonomik, rritje enorme të çmimeve që ka rezultuar me përkeqësim të mirëqenies së qytetarëve, izolim diplomatik i shpërfaqur me masa ndëshkuese ndaj shtetit tonë e posaçërisht së fundmi me mos-futjen në agjendë të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, regres të theksuar në arsim e shëndetësi, e deri te emigrimi i madh i qytetarëve”, shtoi ai. Propozimin për shpërndarjen e Kuvendit, PDK e ka dhënë në mbledhjen e Këshillit Drejtues qysh në korrik të vitit 2023 dhe e ka përsëritur në mbledhjen e radhës në shkurt të këtij viti, duke vlerësuar se vendi ka nevojë për një Qeveri të re, kredibile, të aftë dhe të përgjegjshme, e cila rikthen Kosovën në kursin e zhvillimit dhe integrimit.
“Për këtë arsye, unë pranova edhe ftesën e Kryeministrit Kurti për takim me 13 maj, duke bërë të qartë që PDK takohet vetëm për ta diskutuar datën e zgjedhjeve të reja. Të gjithë e dini epilogun e atij takimi: PDK doli me qëndrimin e saj dhe, madje, propozoi edhe dy data konkrete për zgjedhje të parakohshme”, deklaroi Krasniqi.
Krasniqi uroi që deri në përfundim të mandatit të rregullt të Qeverisë Kurti 2, Kosova dhe qytetarët e saj nuk do të marrin ndonjë goditje të re, nga brenda ose jashtë, që do të ishte me pasoja të rënda dhe afatgjate.
“Kosova po humbë kohë të vlefshme, procese të rëndësishme e miq me vlerë – si pasojë e këtij mentaliteti qeverisës. Ne jemi të bindur se fundi i kësaj Qeverie – do të nënkuptonte një fillim të ri për shtetin tonë. Për fat të keq, kolegët tanë nga partitë opozitare nuk ishin të gatshëm njësoj si ne. Ndoshta atyre u duhet më shumë kohë, por koha nën këtë qeverisje po shkon në dëm të interesit qytetar”, tha lideri i PDK-së. Krasniqi tha se Partia Demokratike e Kosovës do të vazhdojë të jetë zëri më i fuqishëm opozitar në vend, duke kundërshtuar politikat e gabuara të kësaj qeverie.
“Në të njëjtën kohë, do të vazhdojmë të ofrojmë alternativën më të mirë për qytetarët e Kosovës, përmes vizionit dhe programit të kandidatit tonë për kryeministër, Bedri Hamza. Një alternativë që i jep Kosovës një qeveri të përgjegjshme dhe kompetente, që në qendër e vendosë interesin qytetar, për të cilën ka aq shumë nevojë Kosova sot”, përfundoi ai.