Memli Krasniqi: I dorëzova familjes së Sabahajdin Cena një mirënjohje Post Mortem për kontributin e tij të shquar patriotik e partiak
Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi me rastin e dy vjetorit të vdekjes së profesorit Sabahajdin Cena, ka vizituar familjen e tij.
Ai tha se Profesor Cena ishte një personalitet emblematik, një intelektual i spikatur dhe një luftëtar i UÇK-së, teksa i dorëzoi familjes Cena një mirënjohje Post Mortem për kontributin e tij të shquar patriotik e partiak.
Sonte, në dyvjetorin e ndarjes nga jeta të atdhetarit dhe profesorit të shquar, Sabahajdin Cena, bashkë me Idrizin, Albanën dhe Edonin vizituam familjen e tij në Rahovec për të nderuar jetën dhe veprën e një njeriu të jashtëzakonshëm.
Profesor Cena ishte një personalitet emblematik, një intelektual i spikatur dhe një luftëtar i UÇK-së, i cili i dha Kosovës dhe Partisë Demokratike të Kosovës gjithçka që kishte – dijen, përkushtimin dhe guximin e tij.
Në këtë ditë përkujtimi, i dorëzova familjes Cena një mirënjohje Post Mortem për kontributin e tij të shquar patriotik e partiak. Ky akt simbolik përfaqëson respektin dhe falënderimin tonë të përjetshëm për një njeri që la gjurmë të pashlyeshme në rrugëtimin tonë kombëtar dhe politik!