Meksikani flet për mbylljen para kohe të raundit: Arbitrat kishin frikë se rrëzohej Florian Marku
Meksikani Miguel Parra Ramirez i kaloi të gjitha pritshmëritë në Air Albania. Në momentin që u mësua se do të ishte pikërisht ky rival ndaj Florian Markut në një duel që ishte përfolur prej dy vitesh, zhgënjimi ishte i madh duke parë pozicionin e tij të 260 në renditjen botërore.
Por pavarësisht kësaj statistike domethënëse, boksieri meksikan jo vetëm që i hapi punës Markut, por e uli në tapet për herë të parë në karrierë.
Pikërisht në atë raund që shkaktoi zhurmë të madhe për vetë mënyrën sesi në fundin e tij, arbitrat e mbyllën 10 sekonda përpara këtë duel. Në atë moment kur Florian Marku e kishte humbur totalisht dhe pritej përfundimi i ndeshjes në çdo sekondë, ishin pikërisht gjyqtarët që menduan për një rifillim të ri. Në një intervistë për “Sport Ekspres”, Miguel Parra Ramirez ka treguar të pathënat e këtij dueli.
“Për mua ishte shumë spektakolare të isha në Shqipëri, një vend që ishte shumë miqësor dhe i bukur në përgjithësi. Kur u futa në ring ishte emocion, një skenë a e madhe dhe një shtëpi e mbushur plot, e mrekullueshme. Nuk kam ndierë fare frikë, ndryshe nuk do të isha në boks. Sigurisht që frika ekziston dhe është një gjë e mirë që të mban ty të vëmendshëm dhe të përgatitur për atë që mund të vijë, por unë zgjedh që të jem gati dhe të bëj atë që dashuroj më tepër, që shijoj më tepër.
“Të gjithë e dinë se unë e fitova ndeshjen me Florian Markun, përpara syve të gjithë botës, përpara njohësve të boksit dhe ata që nuk e njohin fare boksin, të gjithë më panë mua si fitues, pavarësisht atij vendimi të jurisë dhe gjyqtarëve. Ishte një fitore e qartë për mua, arbitrat e ndihmuan”, tha meksikani.
I pyetur sa i përket mbylljes së parakohshme të raundit të 8, kur Florian Marku u hodh në tokë, Miguel Parra Ramirez u shpreh: “Është diçka që unë nuk e di si ta shpjegoj, nuk e kuptoj. (Qesh) Ndoshta arbitrat po përpiqeshin që ta mbronin nga “KO”, përfundoi meksikani.