Meja dhe Haga

Meja dhe Haga

Secila masakër prej 400 syresh të kryera në Kosovë nga forcat policore dhe ushtarake serbe në vitet 1998, 1999 përmbajnë viktima shqiptare të vrara e të shpërfytyruara dyfish e trefish më shumë se numri i atyre që kanë shkruar dëshmi kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjoja paskan kryer “krime kundër njerëzimit”.

1.

Lëndina e Lotëve!

Mejë, 27 prill 1999

339 burra, gra, pleq e të rinj

38 fëmijë!

Gjithsej 377!

Krimi ka një adresë:

Momir Stojanoviç & Co!

Kështu shkruan miku im Ismet Sopi në profilin e tij në Facebook.

2.

Çka t’i shtohet më shumë këtij fakti veç konstatimit se Gjykata Speciale e Hagës përkatësisht Prokuroria e Gjykatës Speciale me akuzimin dhe arrestimin e padrejtë të luftëtarëve të lirisë, po krijon precedent dhe premisa të reja për ta ripërkufizuar kuptimin e togfjalëshave “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit”.

Secila masakër prej 400 syresh të kryera në Kosovë nga forcat policore dhe ushtarake serbe në vitet 1998, 1999 përmbajnë viktima shqiptare të vrara e të shpërfytyruara dyfish e trefish më shumë se numri i atyre që kanë shkruar dëshmi kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që gjoja paskan kryer “krime kundër njerëzimit”.

3.

Të kujtojmë vrasjen e 8 mijë burrave në Srebrenicë (korrik 1996) nga shteti i Serbisë në “zonën e mbrojtur” dhe faktin që Serbia në juridiksionin ndërkombëtar lirohet nga akuza për kryerje të gjenocidit. Duke mos qenë “hapësirë e mbrojtur” Srebrenica u bë kasaphana më e madhe në Evropën e pas Luftës së Dytë Botërore.

Në vitet 1998, 1999 Kosova nuk ishte as “zonë e mbrojtur” (UNPROFOR i Bosnjës) as “hapësirë e mbrojtur” hapësirë rreptësisht e mbrojtur nën ombrellën e NATO-s brenda së cilës as zogjtë nuk do të fluturonin të lirë, e lëre më të bëheshin krime të përmasave të Srebrenicës, ose të Likoshanit, Çirezit, Prekazit, Izbicës, Rezallës, Reçakut, Krushës, Poklekut, Mejës e shumë e shumë masakrave tjera anembanë Kosovës.

4.

Sipas trajtimit që Prokuroria Speciale e Hagës u bën luftëtarëve të lirisë në burgun e Hagës në fjalorët e rëndomtë, në ata enciklopedikë, juridikë, sociologjikë dhe politikë duhet ndryshuar dhe plotësuar kuptimi i nocioneve “krime të luftës” dhe “krime kundër njerëzimit” dhe të përfshihen edhe elementet: ta shohësh dikë me sy të shtrembër,  të jesh rastësisht në afërsi të dikujt, e aq më shumë ta kërcënosh dikë me tundje të gishtit tregues, e mos e jep zot ta pickosh ose ta shkelësh padashur këmbën e dikujt ose ta shtysh dikë me bërryl.

Ndoshta këto elemente që mund të bëjnë ri-përkufizimin e nocioneve “krime lufte” dhe “krime  kundër njerëzimit” bënë që njëri nga mbrojtësit e të akuzuarve në Hagë të shprehet në një seancë të procedurës paraprake jo edhe pa mllef për mënyrën se si Prokuroria nuk ua vë në dispozicion avokatëve disa nga materialet dhe deklaratat që rëndojnë mbi të akuzuarit shqiptarë, luftëtarë të lirisë:

“Ne kemi dëgjuar nga Prokuroria shumë herë që thotë: – ‘Oh, ne jemi shumë të shqetësuar dhe duam të sigurojmë drejtësinë e këtyre procedurave’. Por ne nuk e besojmë këtë, sepse çdo metodologji e përdorur nga Prokuroria është një lloj taktike që në juridiksionin nga vij unë do të çonte në ndëshkim nga Gjykata. (Cituar sipas avokatit Ben Emmerson në seancën e procedurës paraprake të 16 shkurtit 2021).

5.

Vërejtja e avokatit që vjen nga juridiksioni i Britanisë së Madhe është tregues më i mirë, që po u përkthye në gjuhë politike dhe eseistike, kuptohet sipas opinionit tim, do të thotë:

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po të ishin qytetarë të shtetit britanik, po të ishin francezë, holandezë, suedezë, izraelitë, e me pas dashtë zoti të jenë shtetas amerikanë, ju nuk do të mund të silleshit me ta, siç silleni me ta, vetëm pse ata janë shqiptarë.

Pra, Prokuroria e Hagës sillet si e tillë, sepse ata janë shqiptarë, luftëtarë lirie, njerëz prapa të cilëve nuk qëndron dhe nuk e ngre zërin asnjë institucion shtetëror i Republikës së Kosovës.

Së paku për të mos lejuar shkeljen e të drejtave të tyre elementare.

E, mbrojtja shtetërore e të drejtave të qytetarëve të saj të arrestuar, nuk do të thotë ndërhyrje në drejtësi.

Shpërndaje në: