Mediat franceze për Kadare: Ai mund të marrë çmimin Nobel
Shkrimtari i shquar shqiptar, Ismail Kadare, me shumë gjasë mund të marrë çmimin Nobel. Të paktën ky njoftim është përcjellë nga mediat franceze. E gjithë krijimtaria letrare e shkrimtarit, përmes këtyre dekadave nuk është ndalur dhe duket se vija e finishit do të jetë çmimi i madh e i shumëpritur nga të gjithë. Ai nuk është vetëm shkrimtari më i madh i letërsisë shqiptare, por edhe një nga shkrimtarët më të njohur të letërsisë botërore.
Rrethet letrare të Stokholmit pajtohen në një gjë, shkruan Agence France-Presse (AFP): Akademia pas të gjitha gjasave do të bëjë sivjet një zgjedhje konsensuale, konservatore, pas përzgjedhjes së vitit të shkuar, aq të diskutuar, që shkoi për legjendën e muzikës, kantautorin Bob Dylan.
“Ajo që ndodhi vitin e shkuar ishte krejt e pazakontë. Këtë vit mendoj se do të jetë një romanicer mashkull ose eseist me rrënjë në Europë. Mendoj se do të jetë e kundërta e Bob Dylan”, parashikon Bjorn Wiman, redaktori i Kulturës së gazetës kryesore suedeze “Dagens Nyheter”.
Ai mendon se Antonio Lobo Antunes i Portugalisë dhe Ismail Kadare nga Shqipëria, kanë një shans të mirë. “Të gjithë do të mendojnë: sigurisht, ata e meritojnë Nobelin dhe nuk do të ketë objeksione”.