Mediat angleze: Takimi Shqipëri – Angli mund të anulohet, policia nuk garanton siguri
Kombëtarja e Shqipërisë duhet të luajë ndaj Anglisë këtë të dielë, takimin kualifikues për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Ky takim është duke u rrezikuar, pasi Drejtoria e Policisë së Tiranës, nuk ka garantuar siguri për zhvillimin e ndeshjes në stadiumin “Air Albania në kryeqytet”.
E përditshmja angleze “Daily Mail”, ka publikuar lajmin ku thuhet se kjo ndeshje mund të anulohet për shkak se Federata e Futbollit të Shqipërisë, nuk mund të garantojë sigurinë e dy skuadrave.
“Takimi i Anglisë ndaj Shqipërisë për kualifikimet e Kampionatit Botëror mund të anulohet, Federata nuk garaton që do të ketë mjaftueshëm policië për sigurinë e dy ekipeve” – është titulli në gazetën më të shitur në Angli.
Në një njoftimi të publikuar gjatë ditës së sotme, Federata Shqiptare e Futbollit deklaroi se anulimi i ndeshjes Shqipëri-Angli e parashikuar për t’u luajtur në “Air Albania Stadium”, do të kishte pasoja katastrofike për imazhin e vendit.
Shefi i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi, është deklaruar se për shkak të strukturave permanete të hekurit, nuk garantohet marrja e masave para, gjatë dhe pas zhvillimit të ndeshjes Shqipëri-Angli, në datë 28 Mars 2021, ora 18:00.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ditë më parë refuzoi kërkesën e FSHF-së, që takimi të zhvillohet me 30% të kapacitetit, që është ekuivalent i 6500 tifozëve të cilët kanë marrë vaksinën anti Covid 19.
Kujtojmë që kjo ndeshje është e planifikuar të zhvillohet të dielën me fillim nga ora 18:00, në stadiumin “Air Albania”, në Tiranë