Medalja e argjendtë olimpike, Distria Krasniqi mposhtet në finale, por kthehet me medalje në Kosovë
Distria Krasniqi ka shkruar kapitull të rëndësishëm në histori të sportit të Kosovës. Ajo të dielën fitoi medalje të argjendtë olimpike.
Për herë të dytë xhudistja kosovare ka bërë vend në podiumin më të vlefshëm në sport, podiumin olimpik.
Medaljen e argjendtë, Distria e fitoi në kategorinë deri 52 kilogramë, në Paris.
Tri vjet më parë në Tokio ishte e artë në kategorinë deri 48 kilogramë. Pra tani i ka dy medalje olimpike, që janë më të rëndësishmet në sport.
Në finale të kategorisë deri 52 kilogramë, Distria u mposht nga bartësja e parë, uzbekja Diyora Keldiyorova. Prej saj ka humbur për herë të dytë. Tjetër humbje kishte vjet.
Distria ishte bartësja e dytë, ndërsa deri në finale kishte rrugëtim mahnitës.
Në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën fitoi lehtë e shpejtë ndaj Maryam Maharanit të Indonezisë. Ishte punë sekondash. 39 saktësisht. Ishte fitore me Ippon të bukur.
1:06 minuta zgjati lufta çerekfinale me izraeliten Gefen Primo. Pra ajo rezistoi pak më gjatë. Por preku tatamin me shpinë dhe Distria vazhdoi tutje.
Kampionia në fuqi botërore, italiania Odette Giuffrida, ishte kundërshtare e Distrisë në gjysmëfinale. Xhudistja pejane nisi sigurt. E shtyu shpejt italianen e papërshtatshme drejt dy dënimeve. Më pas lufta ishte shumë taktike. Nuk kishte hedhje, por kishte përpjekje të vazhdueshme nga Distria. Lufta shkoi në kohën shtesë. Aty Distria u rrezikua seriozisht për herë të parë. Por shmangu rënien dhe lufta vazhdoi edhe pak. Pas 6:10 minuta luftë, gjyqtarja dha dënime për të dy xhudistet, për shmangie të luftës. Për Distrinë ishte i pari. Për Giuffridan i treti. Dhe kjo nënkuptonte fitore tjetër me Ippon për Distria Krasniqin.
Finalja dhe e gjithë gara është zhvilluar në atmosferë madhështore në “Champ de Mars Arena”, në zemër të Parisit, fare pranë Kullës së Eiffelit. Mbi 8000 shikues ishin gjatë gjithë ditës në këtë arenë të përkohshme. Arena do të çmontohet në fund të vitit. Vepra e Distria Krasniqit do të jetë e përhershme.