“Më pyetën për gjithçka”, Belind Këlliçi flet pas daljes nga SPAK
Ish – kandidati për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ka dëshmuar për dy orë në Prokurorinë e Posaçme këtë të enjte.
Në dalje për mediet ai foli për mediat ku tregoi se ka dhënë të gjitha sqarimet për shkak se ka rrëzuar skemën korruptive të inceneratorit të Tiranës dhe atë që e quan si “banda 5D”.
“Kam dhënë të gjitha sqarimet e mia shteruese në raport me të gjitha shpifjet, mllefin, vrerin e hedhur ndaj meje për shkak se kam rrëzuar një skemë korruptive me vlerën 1 miliard Euro, inceneratorin e Tiranës dhe kam rrëzuar bandën më të madhe të hajdutëve që ka parë ndonjëherë shteti shqiptar dhe Ballkani Perëndimor, banda 5D, kreu i së cilës para pak çastesh më njoftojnë që ka dalë nga kolegët e tij dhe trokitësit në institucionin e Prokurorisë së Posaçme. Jam i hapur dhe në dispozicion të drejtësisë për çdo pyetje, sqarim të mëtejshëm, detajim që mund të ketë në raport me mua, Belind Këlliçin, familjen time, apo këdo që është person i lidhur me mua, që nga dita që unë kam lindur më 25.01.1987, deri sot më 26 Dhjetor të vitit 2024”, tha Këlliçi.
Ai sqaroi se është pyetur për gjithçka, por nuk dha detaje nga hetimi pasi i është kërkuar nga SPAK që të mos bëjë publike disa pjesë të asaj që po hetohet.
Mësohet se ai është pyetur në kuadër të hetimit për falsifikim të diplomës së shkollës së mesme dhe deklarim të rremë në formularin e vetëdeklarimit si kandidat për deputet dhe kandidat për kryetar bashkie të Tiranës.