Me Netanyahun duke bërë plazh, Trump shpërndan videon për të ardhmen e Gazës

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpërndarë këtë të mërkurë një video të krijuar nga inteligjenca artificiale mbi të ardhmen e Gazës.
Në pamjet e shpërndara në platformën e tij Truth Social është vizualizuar një peizazh i transformuar të Gazës bazuar në planin e tij për rindërtimin e enklavës palestineze.
Videoja, e titulluar “What’s Next for Gaza”, tregon një pamje ekstravagante të rajonit pas përfundimit të konfliktit, ku Gaza transformohet në një rivierë luksoze.
Videoja nis me kulla dhe statuja të arta që ngrihen mbi Gazën e shkatërruar, vijon me imazhin e Elon Musk duke shpërndarë para dhe mbyllet me Trump dhe Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu duke shijuar një ditë në plazh në bregdetin e Gazës, raporton euronews.
Videoja, e cila nuk ka asnjë lidhje me realitetin, ka ngjallur një valë reagimesh të ndryshme në media dhe rrjetet sociale. Për disa, ajo është një satirë e tepruar, ndërsa për disa të tjerë është plani i Trump dhe Izraelit për të zhvendosur palestinezët dhe për të marrë nën kontroll territorin.
Plani i Trump për zhvendosjen e palestinezëve në shtete fqinje ka ngjallur reagime të ashpra në të gjithë botën duke e cilësuar si një spastrim etnik.