Më në fund ardhje e re te Kosova: Kush është Toni Domgjoni, mesfushori i ftuar nga Challandes?

Më në fund ardhje e re te Kosova: Kush është Toni Domgjoni, mesfushori i ftuar nga Challandes?

Kombëtarja e Kosovës do të vazhdojë rrugëtimin e saj drejt Kupës së Botës Katar 2022, me dy ndeshje në muajin tetor.

Suedia më 9 tetor dhe Gjeorgjia më 12 tetor janë dy kundërshtaret e radhës për kombëtaren Dardane.

Në një kohë kur skuadra kombëtare vuan nga shumë dëmtime, seleksionuesi Bernard Challandes ka ftuar në grumbullim lojtarin që luante me Zvicrën U21, Toni Domgjoni, shkruan Periskopi.

Por, kush është Toni Domgjoni? Një mesfushor që mund të aktivizohet si balancues, e që pikërisht për atë pozitë vuan Kosova. Kjo do të ishte përgjigja më e thjeshtë dhe më e mirë për pyetjen se kush është lojtari.

Toni Domgjoni është një kosovar, i lindur në Koprivnicë të Kroacisë, i cili deri më tani ka përfaqësuar Zvicrën, nëpër kombëtaret zinxhir. Tani, vendimi i tij duket se është ta përfaqësojë Kosovën – kështu tregon lista e publikuar sot, ku figuron edhe emri i tij me një fusnotë që shpjegon se lojtari është në procesin e plotësimit të dokumentacionit për të ndërruar kombëtare. Një lëvizje e tillë e Domgjonit spekulohet tash e disa vite, por duhej pritur deri në tetorin e 2021 për të ndodhur kjo.

Domgjoni preferon të luajë si mesfushor qendror, por përshtatet mirë edhe me detyra më defensive të mesfushës. Vlera aktuale e tij sipas Transfermarkt shkon në 2 milionë euro, kur aktualisht luan me skuadrën  Vitesse Arnhem. Këmba e preferuar e lojtarit është këmba e djathtë, kurse kontratë me klubin holandez ka deri në vitin 2024.

Nga U18, deri U21, kombëtarja e tij ishte Zvicra. Në nivel klubesh, Domgjoni ka luajtur me skuadrën e Belugo Jgd fillimisht, para se të kalonte te Koprivnica – për t’u kthyer sërish te Belup para se të kalonte te të rinjtë e Zurich. Lojtari luajti me të gjitha skuadrat nga U16 deri te skuadra A e Zurich, mes viteve 2009 dhe 2021.

Në vitin 2021, lojtari kaloi nga Zurich në Eredevisie të Holandës, ku aktualisht luan me Vitesse. Lojtari u transferua si lojtar i lirë, shkruan Periskopi.

Domgjoni pritet të jetë një shtysë e madhe për mesfushën e Kosovës, në një kohë kur Herolind Shala e Hekuran Kryeziu nuk po bëjnë më së miri. Shto këtu lëndimin e Valon Berishës, por edhe Blendi Idrizit, si dhe gjendjen jo më të mirë të mundshme të Celinës, lojtari i lindur në Kroaci mund të hap shumë opsione për Challandes.

Nuk dihet akoma nëse Domgjoni mund t’i ndihmojë kombëtares së Kosovës në këto dy ndeshje të tetorit. Gjithçka varet nga procesi i finalizimit të dokumentacionit, por një gjë është e sigurt – ardhja e Domgjonit është lajm i mirë për Kosovën. Lojtari ka përvojë të shtuar nga paraqitja në Euro U21 dhe mund t’i jap shumë repartit tonë të mesfushës. /Periskopi/

Shpërndaje në: