Me kërkesë të të akuzuarit Millorad Gjokoviq, ndërprehet seanca për krime lufte

Me kërkesë të të akuzuarit Millorad Gjokoviq, ndërprehet seanca për krime lufte

Me kërkesë të të akuzuarit për krime lufte Millorad Gjokoviq, është ndërprerë seanca e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Gjokoviq me mbështetje të mbrojtjes së tij, avokatëve Dejan Vasiq dhe Vasilije Arsiq deklaroi se nuk i ka pranuar të gjitha shkresat e lëndës, andaj nuk mund të vazhdojë me marrjen në pyetje të dëshmitarit Halit Gashi, ashtu siç ishte planifikuar nga seanca e kaluar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Ndërsa, kryetari i trupit gjykues, Valon Kurtaj lidhur me pretendimet e të akuzuarit Gjokoviq, njoftoi palët se nga verifikimi që e ka bërë me administratën e qendrës së paraburgimit, janë njoftuar se të gjitha dokumentet, shkresat të cilat i janë dërguar qëndrës se paraburgimit, i janë dërguar edhe të akuzuarit në qelinë e tij.

Po ashtu, gjykatësi Kurtaj tha se Gjykata do t’i drejtohet kësaj qendre edhe me shkrim që të njoftohet zyrtarisht se a janë dërguar këto dokumente.

Më pas, seanca u ndërpre pasi i akuzuari deklaroi se nuk i ka pranuar këto dokumente dhe se nuk është në gjendje të parashtrojë pyetje për dëshmitarin.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 23 qershor 2023, Millorad Gjokoviq akuzohet se në vitet 1998-1999, në fshatin Ozdrim- Komuna e Pejës dhe në fshatrat përreth regjionit të Pejës, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, ka aplikuar masat e vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturës, trajtimit në mënyre mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të dhjetëra civilëve shqiptarë. Akuzohet edhe për plaçkitje, djegie dhe shkatërrimin e shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.

Në aktakuzë thuhet se nga ana veriore e fshatit Ozdrim me rrugën regjionale Pejë – Mitrovicë, kishin hyrë ushtria e rregullt dhe në fund nga ana perëndimore e fshatit Ozdrim e cila kufizohet me fshatin Vitormiricë kishin hyrë grupet paramilitare të përzier edhe me pjesëtarë të njësiteve speciale ushtarake, filluan të shtinin me armë në drejtim të popullsisë civile me ç‘rast u vranë gjashtë civilë të nacionalitetit shqiptarë: I.K Sh.K, E.M, R.Sh, Z.Sh dhe M.H, ndërsa tre civilë të cilët u plagosen nga këto të shtëna: A.G, H.G dhe M.G, fillimisht u transportuan për në spitalin e Pejës e më pastaj u ekzekutuan dhe u varrosën në fshatin Lutogllavë, si dhe pesë civil të nacionalitetit shqiptarë: R.K, Z.K, A.K, A.K, A.Sh u vranë gjatë ofensivës, por asnjëherë nuk u gjetën trupat e tyre prandaj ende figurojnë si të zhdukur.

Me këtë, Gjokoviq ngarkohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ( tutje “LP i RSFJ-së”) si ligji në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Shpërndaje në: