Më jepni një provë, që Goran Bregoviç ka nxitur krimet në Kosovë!
Nga Anila Jole
Për shkak të debatit të ndezur së fundi bashkë me disa kolegë gazetarë bëmë hulumtime për Goran Bregoviç, artistin që pritet të vijë sërish në Shqipëri. Nuk gjeta diçka kompromentuese, pa pretenduar se i shterrova të gjitha burimet.
Gjeta ndër këngët që grupi i tij ka kënduar në shqip dhe pakkush e ka dëgjuar. Në atë këngë “Bijelo dugme”, ku Bregoviç ishte krijuesi dhe kitaristi kryesor, i këndon dashurisë, muzikës dhe instrumenteve tona si çiftelisë e mandolinës në gjuhën shqipe. Për mua është domethënëse dhe çuditem që askush nuk e përmend. (Kënga në youtube)
Së dyti, në vitin 2006 kur në krye nuk kishim këtë kryeministër, kur lufta e Kosovës kishte pak vite që kishte mbaruar e plaget ishin shumë të freskëta, Goran Bregoviç dha 2 koncerte në zemër të kryeqytetit shqiptar, por nuk ishte ky reagim.
Së treti, kenga “Kallashnikov” s’ka lidhje me luftën, është një lloj “goditje” ndaj mëndësisë ballkanase për t’u pajisur e përdorur këtë armë. Është kolonë zanore e filmit “Underground”. Tekstin e saj e gjen lehtësisht për verifikim.
Së fundi, Bregoviç qëmton atë lloj muzike që i shkon për shtat dhe pëlqehet nga gjithë Ballkani. Iu këndon gjerësisht edhe ciganeve dhe jetës së tyre të lirë. Me këtë dua të them, se një artist i tillë nuk mund të jetë nacionalist i egër dhe racist.
Unë i pranoj reagimet e atyre që janë kundër me arsyetime dhe do të kundërshtoja me forcë nëse dikush do më sillte një prove të vetme, një qëndrim, një deklaratë publike, apo një tekst kënge, për “nxitje të luftës, urrejtjes e krimeve në Kosovë”. Le t’i themi të vërtetat pa mllef e pasion. Të hapim sytë dhe mendjen për të gjetur të drejtën.
Të lutur janë miqtë e mi nga Kosova të më plotësojnë me fakte, nese nuk kam gjetur atë të vërtetë që duhet thënë./M.T/dritare.net