Me 20 euro tentoi të korruptojë Policinë, arrestohet shoferi
Paraditën e sotme , zyrtarët policorë të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë, kanë ndalur një automjet, në një pikë kontrolli rutinë, në fshatin Rakovinë-Gjakovë.
Shoferi i veturës po dyshohet se për të shpëtuar nga dënimi, iu ofroi policëve 20 euro ryshfet dhe për pasojë u arrestua.
Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia, me ç’rast ka bërë të ditur se i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Gjatë procesit të lëshimit të një gjobe për një kundërvajtje, i dyshuari A. G., (shoferi i automjetit) në përpjekje të ndërhyjë në detyrat ligjore të zyrtarëve policorë, që të mos i shqiptonin gjobën, kishte hedhur një kartëmonedhë prej 20 eurosh në makinën e patrullës. I dyshuari u shoqërua menjëherë në stacionin policor, si dhe kartëmonedha prej 20 eurosh është sekuestruar si provë. Në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rast “dhënia e ryshfetit”, ndërsa i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë.”