Mbrojtja kërkon mundësinë e kundërpyetjeve ndaj Bislim Zyrapit pas pyetjeve shtesë të ZPS-së
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë dëshmitari i 75-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Bislim Zyrapi në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Në ditën e dhjetë të dëshmisë së tij, pyetjet shtesë për të po i bën prokurorja Clare Lawson, por që dolën çështje shtesë. Lidhur me këtë, mbrojtja e quajti situatë të pazakontë dhe kërkoi nga trupi gjykues që t’iu jepet mundësia e kundërpyetjeve, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“A do të na jepni mundësinë që të bëjmë kundërpyetje në fakt. Se po dalin materiale të reja që unë dua t’i shqyrtoj më tej me dëshmitarin. Kjo është një situatë e pazakontë për ne. Nëse po e prezanton një praktikë të tillë për herë të parë, atëherë për ne është situatë e pazakontë”, tha avokati i Veselit, Ben Emmerson.
Për pyetjet e prokurores pati kundërshtime edhe mbrojtja e Hashim Thaçit përmes Luka Mishetiq, i cili tha se pyetjet e tilla, Lawson do të duhej t’i bënte në fillim dhe jo gjatë atyre shtesë.
“Këto pyetje duhet të bëheshin kur i bëri pyetjet fillimisht dhe jo gjatë pyetjeve plotësuese”, tha Mishetiq.
Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III i kërkoi mbrojtjes që në një moment tjetër të bëjnë kundërshtimet e tyre.
“Mbarojmë me këtë pjesë dhe pastaj kur të jetë momenti i duhur ju lutem bëjeni të qartë qëndrimin tuaj ose më saktë bëni kundërshtimin tuaj”, tha Charles Smith III.
Megjithatë, Mishetiq kërkoi sërish shpjegim për pyetjet e prokurores Clare Lawson, e cila trajtoi çështje sidomos për telefonat satelitor të përdorur nga anëtarët e UÇK-së.
“Ne e kemi kërkesën se në qoftë se nuk na jepni të bëjmë kundërpyetjen atëherë, Prokuroria ta bëjë të qartë qëndrimin e vet se ku po don të dalë”, tha Mishetiq.
Lidhur me këtë, gjyqtari Fergal Gaynor tha se kjo gjë lejohet sipas një vendimi të trupit gjykues.
“I nderuar zoti Mishetiq, paragrafi 112 i urdhrit tonë e trajton shumë mirë çështjen e pyetjeve plotësuese. Thotë: Trupi gjykues do të lejojë pyetje plotësuese vetëm nëse prezantohen materiale të reja gjatë kundërpyetjeve apo pyetje plotësuese. Kështu që kjo është e lejueshme dhe ju mund t’i përdorni po ashtu materialet”, tha ai.
Pasi përfundoi pyetjet e saj Lawson, trupi gjykues miratoi kërkesën e Emmerson dhe kështu me kundërpyetje vazhdoi më pas avokati Mishetiq.
Gjatë pyetjeve shtesë, prokurorja Lawson pyeti dëshmitarin se a ka pasur anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm jashtë Kosovës që i kanë dhënë atij informata.
“Jashtë Kosovës ka qenë komandanti i përgjithshëm, Azem Syla”, tha dëshmitari, duke mohuar se ka pasur ndonjë person tjetër që e ka bërë një gjë të tillë.
Dëshmitari po ashtu u pyet se a ka pasur kontakte me Kadri Veselin gjatë kohës kur ai nuk ndodhej në Kosovë.
“Pak pasi jam kthy nga perëndimi, kemi fillu bisedimet me Qeverinë Bukoshi, por jo më herët”, tha dëshmitari.
Dëshmitari tha se Mensur Kasumi ka qenë pjesë e Drejtorisë Operative por jo përgjegjës i saj. Ai shtoi se Kasumi e kishte angazhuar që të merrej me G2-shin sa nuk ishte Kadri Veseli.
Ai pohoi se Shërbimi Informativ i Kosovës (ShIK), ka qenë në formim gjatë kohës së Qeverisë së Përkohshme dhe jo më herët.