Mbrojtja kërkon lirimin e të akuzuarve për vrasjen e Oliver Inanoviqit
Në fjalën e tyre përfundimtare mbrojtësit e të akuzuarve Marko Roshiq, Nedelkjo Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Silvana Arsoviq të cilët akuzohen për përfshirje në vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviqit, kërkuan nga gjykata që të njëjtit në mungesë të provave të lirohen nga akuza.
Në fjalën përfundimtare, mbrojtësi i të akuzuarit Spasojeviq, avokati Faruk Korenica ka thënë se dyshon se ka fakte që i mbrojturi i tij të shpallet fajtorm raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai ka përmendur deklaratat e dëshmitarëve anonim në këtë çështje penale, i cili tha se mbrojtjes nuk i është dhënë mundësia që të parashtroi pyetja të tërthorta.
“…neve nuk na është mundësuar të parashtrojmë pyetje të tërthorta dëshmitarëve anonim A1, B1 dhe B3 mjerisht në deklaratat e të cilëve prokurori e mbështet fjalën përfundimtare të tij”, tha avokati Korenica.
Po ashtu, ai ka thënë se gjatë fazës së hetimeve janë bërë shumë keqpërdorime të cilat të gjithëve iu kanë kushtuar shtrenjtë e po ashtu edhe shtetit i cili ka dhënë para të mjaftueshme për këtë procedurë.
Sipas tij, janë bërë tentime edhe për falsifikim e që si shembull ai nxori një foto të të mbrojturit të tij kur i njëjti ishte identifikuar nga dëshmitari anomin A1.
“Ai (dëshmitari anonim Ai) ka thënë kam pa foto dokumentacionin i cili më është ofruar dhe i ka vetullat karakteristike të bashkuara, në këtë foto janë edhe tre persona, policë me uniforma që asnjëri nuk i kanë vetullat identike qysh paraqitet këtu”, tha Korenica.
Por sipas tij, dikush me qëllim me tush ose me ndonjë gjë tjetër i ka bashkuar vetullat të mbrojturit të tij që personi anonin A1 me identifiku ma lehtë.
Lidhur me vendin e ngjarjes, avokati Korenica tha se nga video-incizimet është parë se i mbrojturi i tij ka qëndruar në vendin e ngjarjes vetëm 11 minuta si organ kompetent për ruajtjen e vendit të ngjarjes.
“Pas kësaj ka arrit policia regjionale çka shihet në material i ka marrë të gjitha autorizimet e të mbrojturit tim dhe ka mujt me punu vetëm me urdhrin e personit përgjegjës nga ana e policisë regjionale, këtu doket se të gjitha obligimet e veta ai i ka kry në mënyrë shumë profesionale, në kamera doket se asnjë person nuk ka kaluar qysh pretendon prokurori që ka mujt me asgjësu prova”, shtoi tutje ai.
Kjo aktakuzë, sipas tij është aktakuzë e parë që ka ndodh në gjykatat e Kosovës kur prokuroria me vetiniciativë e ka ndryshuar atë tri herë.
Ai ka thënë se procedura penale nuk lejon supozime, ashtu siç përmendet në aktakuzë se i mbrojturi i tij u ka ndihmuar të dyshuarve.
“Dmth është përdorur fjala shumës, ma shumë se një, i pandehuri për me i eliminu pengesat e kryerjes së veprës penale u ka mundësuar të dyshuarve që të lëvizin me veturën zyrtar “Golf 4”, unë kisha pas dëshirë me dite a janë një, dy, a tre, a katër a pesë”, tha ai.
I akuzuari Spasojeviq, në fjalën e tij përfundimtare tha se kurrë në jetën e tij nuk është marrë me kriminalitet e as nuk është shoqëruar me njerëz të shoqërisë kriminale.
Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Roshiq, avokati Mahmut Halimi gjatë elaborimit të fjalës së tij përfundimtare ka thënë se kurrë asnjëherë nuk është siguruar ndonjë provë që është parë i mbrojturi i tij duke përcjellë lëvizjet e tani të ndjerit Ivanoviq.
Sipas tij, prokuroria në asnjë fjalë të vetme nuk e ka dhënë në drejtim të pretendimeve të paraqitura në aktakuzë, se të akuzuarit këtu, nën udhëheqjen e Zhelko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq që gjenden në arrati kanë vepruar si grup kriminal me ç’rast si pasojë e veprimeve të tyre ka ardhur deri tek vrasja e Ivanoviqit.
“Asnjë fjalë të vetme as në fjalën përmbyllëse po as më herët prokuroria nuk e ka dhënë në drejtim të këtyre pretendimeve për ta bindur një vëzhgues objektiv se veprimet kanë ndodhur në të vërtet në mënyrë siç Prokuroria i përshkuan”, tha Halimi.
Ndërsa, sa i përket disa dëshmive të dëshmitarëve, avokati Halimi tha se të njëjtat nuk mund t’i emërojnë ndryshe përpos se me përmbajtje të thashethemeve e që sipas dispozitave ligjore duhet të konsiderohen prova të papërshtatshme.
I njëjti i ka propozuar gjykatës që ndaj të mbrojturit të tij të nxjerrët aktgjykim lirues, pasi që nuk është provuar që i njëjti ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.
Në vazhdim fjalën përfundimtare e ka elboruar edhe mbrojtësja e të akuzuarës Arsoviq, avokatja Jovana Filipoviq e cila tha se kjo aktakuzë është e bazuar në raport me të mbrojturën e saj ndërsa, çfarë ka arritur të vërtetohet deri tani sipas saj është se kjo aktakuzë bazohet kryesisht dhe ekskluzivisht në supozime.
Sipas avokates Filipoviq të gjithë dëshmitarët pajtohen rreth një gjëje, e ajo është se e mbrojtura e saj nuk ka pasur kurrfarë lidhje për pjesën që i vihet në barrë.
Ndërsa, sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare avokatja Filipoviq tha se e mbrojtura e saj nuk ka pasur pozitë të cilën ka mundur ta keqpërdor.
Në fund, ajo tha se në bazë të provave të nxjerra apo edhe në bazë të kësaj aktakuze kautike nuk mund të sjelljet aktgjykim tjetër përpos aktgjykim lirues.
E akuzuara Arsoviq, në fjalën e saj përfundimtare tha se nuk ka bërë asgjë nga ajo se çfarë e akuzon prokuroria duke shtuar se nuk është e aftë për diçka të tillë, nuk është e edukuar në atë mënyrë dhe se parimet morale dhe njerëzore nuk e lejojnë as të mendoj rreth kësaj gjëje.
“Përse do ta bëja një gjë të tillë? Me vdekjen e Oliverit unë vetëm kam humbur, kam shumë tepër, sepse ai ka qenë për mua para së gjithash mik, ka qenë punëdhënësi im, mbështetësi im”, tha ajo.
Arsoviq tha se beson në atë se gjykata do të sjell drejtësinë, vendimin e drejtë dhe se beson se sistemi i vlerave ekziston.
“Zoti e din se unë nuk jam fajtore dhe para tij mund të dal lirisht, ashtu siç sot qëndroj këtu pranë jush, shpresoj dhe dëshiroj të besoj që përveç drejtësisë hyjnore ekziston edhe drejtësia në tokë dhe se me vet këtë edhe drejtësia do të jetë në anën e njëjtë”, tha Arsoviq.
Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Markoviq, avokati Dejan Vasiq, në fjalën e tij përfundimtare deklaroi se nga deklaratat e të gjithë dëshmitarëve të cilët kanë dëshmuar rreth kësaj ngjarje është fakt se askush nga ta nuk ka dëgjuar të shtëna dhe se në vendin e ngjarjes nuk ka pasur asnjë pikë gjak dhe sipas tij të gjithë kanë menduar se Ivanoviqit i ka rënë të fikët e që në këtë kuptim duhet të interpretohen edhe të gjitha veprimet e të mbrojturit të tij.
Sipas Vasiq, Prokuroria thotë se është vërtetuar se atë ditë i mbrojturi i tij e ka thirrur një person në Republikën e Serbisë, ndërsa i mbrojturi i tij në deklaratën e tij ka thënë se e ka thirrur ndihmën e shpejtë, e që sipas tij këto janë dy burime të ndryshme.
“Njëri i cili thotë se e ka thirrur personin e thirrur… ndërsa raporti të cilin e ka dërguar Serbia në kuadër të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar i vërtetojnë fjalët e Dragishës se ai e ka thirrur ndihmën e shpejt. Kryetar, është e juaja se kujt do t’i besoni njërës apo tjetrës bile edhe po ta kishte thirrur atë personin e që nuk e ka thirurr, edhe nëse ai person është i punësuar në policinë serbe e atë nuk e di ai ka mundur ti thotë atij personi se Oliverit i ka rëne të fikët”, tha Vasiq.
E sipas tij, si është e mundur që dikush të mendoj se kjo është fshehtësi zyrtare që Ivanoviqit i paska rënë të fikët, pasi që sipas tij, neni 433 paragrafi 5 thotë se fshehtësia zyrtare është informacioni apo dokumenti të cilët me ligj apo me dispozitave tjera ose me vendim të organit kompetent janë shpallur si fshehtësi zyrtare.
Ai propozoi që ndaj të mbrojturi të tij të nxjerrët aktgjykim lirues.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Jovanoviq, avokati Ljubomir Pantoviq, në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se nuk qëndrojnë pretendimet e prokurorisë se i mbrojturi i tij ka kryer veprën penale të keqpërdorimi të pozitës apo autoritetit zyrtar për çka ai tha se garanton se i mbrojturi i tij nuk e ka kryer këtë vepër.
Sipas tij, prokuroria pretendon se i mbrojturi i tij Jovanoviq dhe i akuzuari tjetër Markoviq kanë keqpërdoruar detyrën e tyre zyrtare në atë mënyrë që pas vrasjes së Ivanoviqit kanë dal në vendin e ngjarjes të cilin vend nuk e kanë siguruar mirë e duke lejuar personat tjerë që të intervenojnë në atë hapësirë.
Por lidhur me këtë, ai tha se në moment kur këta dy të akuzuar kanë dal pranë selisë së partisë dhe e kanë parë trupin e Ivanoviqit të shtrirë në trotuar askush nuk ka besuar e as nuk e ka ditur se është vrarë i njëjti.
E që sipas tij, ai vend është bërë vend i ngjarjes në kuptim juridiko- penal shumë më vonë.
“Atëherë kur ata kanë ardhur aty ai ka qenë një vend ku një njeri është rrezuar dhe ku është besuar sipas të gjitha informatave të atëhershme se ai ka pasur disa probleme shëndetësore dhe atëherë këta dy njerëz nuk e kanë pasur për obligim që t’i ndalojnë qytetarët që të kalojnë nëpër atë vend”, tha Pantoviq.
I njëjti kërkoi që i mbrojturi i tij të lirohet nga akuza për veprën penale keqpërdorimi i pozitës zyrtare sepse nuk është provuar se ai e ka kryer këtë vepër penale.
Kurse, sa i përket veprës penale të armëmbajtjes pa leje, avokati Pantoviq tha se i mbrojturi i tij e ke poseduar pa autorizim një pistoletë e për të cilën e ka pranuar fajësinë, vepër kjo për të cilën ai kërkoi që ndaj tij të shqiptohet dënim me kusht.
Një fjalë përfundimtare ndryshe nga avokatët e tjerë, e pati mbrojtësi i të akuzuarit Rade Basara, avokati Arbër Osmanaj, i cili tha se tërheqja nga ndjekja penale nga ana e prokurorisë për të mbrojturin e tij është e bazuar në fakte të çështjes që kanë rezultuar në shqyrtimin gjyqësorë e veçanërisht vërtetimit edhe të alibisë së të mbrojturit të tij se i njëjti as nuk është gjendur në territorin e Republikës së Kosovës në ditën kur ka ndodhur ngjarja kritike.
Prandaj, sipas tij kjo tërheqje nga ndjekja penale është e bazuar në shkaqe ligjore për çka ai i propozoi gjykatës që të nxjerrët aktgjykim refuzues.
Paraprakisht, në këtë seancë prokurori special Burim Çerkini në fjalën e tij përfundimtare tha se në mungesë të provave tërhiqet nga ndjekja penale ndaj të akuzuarit Rade Basara.
Në seancën e 13 qershorit, Basara kishte vendosur të mbrohej në heshtje.
Ndryshe, seanca fillestare ishte mbajtur më 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës së 27 dhjetorit 2019 dhe kundërshtimet e provave.
Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e tyre dhe çështja ishte kthyer në rivendosje dhe nga Themelorja u kërkua të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për t’u deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq akuzohen se në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiq, Zvonko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq, të cilët gjenden në arrati dhe dy të pandehur tjerë të panjohur, duke vepruar si grup kriminal me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.
I akuzuari Dragisha Markoviq akuzohet për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare” nga neni 433, par. 2.1 të Kodit Penal. Markoviq po ashtu bashkë me Zharko Jovanoviq akuzohen edhe për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare në bashkëkryerje” nga neni 422, par.1 lidhur me par.2, nënpar. 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu, i akuzuari Jovanoviq ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.1 të Kodit Penal. Kurse, i akuzuari Nedeljko Spasojeviq ngarkohet edhe me veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374, par.2 lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Ndërsa, më 27 dhjetor 2023, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë kundër Milan Mihajloviq lidhur me rastin e vrasjes së Ivanoviqit, të cilin e ngarkon me katër vepra penale.