Mblidhet LDK-ja në Rahovec, Hoti: Jemi të përgatitur për ta kërkuar te secila familje besimin për qeverisjen e ardhshme
Kryesia e degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Rahovec e ka mbajtur një mbledhje për të diskutuar për aktivitetet që do t’i ketë kjo parti në përgatitje për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti njoftoi se Enis Dërguti do të jetë kandidat për deputet në listën e LDK-së, ndërsa tha se LDK-ja është e vendosur dhe e përgatitur që ta kërkojë te secila familje besimin për qeverisjen e ardhshme.
“Në Kryesinë e Degës së LDK-së biseduam për aktivitetet në muajt në vijim në përgatitje për procesin zgjedhor. 1. Kemi mbledhur energji të reja në degë, përfshirë kandidatin për deputet nga qytetit i Rahovecit, Enis M. Durguti. 2. Është forcuar besimi në vlerat politike e tradicionale të LDK-së, në veçanti për shkak të qeverisjes aktuale pa asnjë rezultat, e cila e ka izoluar vendin, ka penguar zhvillimin ekonomik dhe ka bllokuar integrimin euro-atlantik të Kosovës”, shkroi Hoti në një postim në Facebook.
“3. Jemi të vendosur e të përgatitur për të arritur tek secila familje për të kërkuar besimin për qeverisjen e ardhshme të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.