Mbipesha dhe nënpesha vrasin, shkurtojnë jetën me 4 vjet
Të qenit mbipeshë ose obezë, ose edhe e kundërta, nën peshë, shton rrezikun e sëmundjeve vdekjeprurëse, duke shkurtuar jetëgjatësinë me 4 vjet.
Studiuesit e London School of Hygiene kanë publikuar në revistën “Lancet”, një studim që analizon ndikimin në jetëgjatësi të indeksit të masës trupore (BMI), nëse është më i vogël ose më i madh se 21-25.
Në studim janë përfshirë 3.6 milionë njerëz në Britaninë e Madhe.
Kartelat e tyre klinike janë studiuar nga mjekët, të cilët kanë marrë në konsideratë edhe faktorë të tjerë potencialisht të rrezikshëm, si duhani apo patologji të tjera të mëparshme.
Për obezët, ndryshe ata që e kanë BMI-në mbi 30, jetëgjatësia shkurtohet me 4.2 vjet për meshkujt dhe 3.5 për femrat.
Ndërsa për ata që janë nën peshën normale, jetëgjatësia shkurtohet me 4.3 vjet për meshkujt dhe 4.5 për femrat.
Indeksi i masës trupore është një nga treguesit kryesorë të shëndetit, thonë autorët e studimit.
Lidhja e tij me rrezikun e vdekjes është parë gjithnjë nga studiuesit, por kjo është hera e parë që një studim analizon aspektet specifike të kësaj lidhjeje.