Mbi vdekjen ‘e parakohshme’
Dje u shënua Dita Botërore e/kundër Kancerit. Në Kosovë u tha që shkalla e vdekjeve nga kjo sëmundje ishte nën mesataren e vendeve të rajonit. Në Botë u raportua që ishte rritur numri i rasteve të mposhtjes së sëmundjes në fjalë. Kushedi, mbase bota do ta kapërcejë në dekadat që vijnë vdekjen nga kanceri. Do të gjejë kurën për trajtimin dhe mposhtjen e tij. Siç ndodhi me sëmundje tjera vdekjeprurëse përgjatë historisë. Specia njerëzore evoluon dhe kjo është dëshmuar nga gjeneratat e reja që lindën në disa vende afrikane, e të cilat kishim qeliza imune ndaj Hiv/Aids-it. E njëjta gjë mund të ndodh pas njëfarë kohe të gjatë (kohë e gjatë për ne, por jo për njerëzimin) edhe me kancerin. Vetë trupi njerëzor evoluon në atë masë sa të mos jetë i prekshëm më.
Por, le të merremi me një aspekt të paevitueshëm të vdekjes nga kanceri. Le të merremi me frikën që shkakton një fat i tillë. Unë mendoj që edhe reagimet kundër ajrit të ndotur në Prishtinë e kishin si motiv një frikë të tillë. Pra, kemi të bëjmë me një frikë nga vdekja. Që të jemi më të saktë, kemi të bëjmë me frikën nga vdekja e parakohshme. Kjo gjë implikon dy gjëra: vdekjen me kohë dhe njëkohshëm mënyrën sesi vdiset.
Unë nuk besoj që ka një mënyrë të mirë për të vdekur. Njerëzit vdesin nga kanceri, nga sëmundjet e zemrës, nga sëmundje të tjera, pastaj nga aksidente të ndryshme, nga luftërat etj. Por, këtu nuk mund të flitet për një preferencë. Dhe nëse flitet për diçka të tillë, atëherë kjo është tendenca totalitarizuese e shoqërive perëndimore për të vënë kontrollin mbi gjithçka. Në shekullin e nëntëmbëdhjetë nisi sistematizimi i kohës së lirë. U shpikën sporte, dhe mënyra të caktuara të shpenzimit të kësaj kohe të lirë. Ta zëmë, ka miliona njerëz nëpër botë që i kalojnë qindra orë në vit duke shikuar futboll, ose ndonjë sport tjetër. Të rrallë janë ata që arrijnë të shmangen nga kjo formë manipulimi. Që të rikthehem në temë, po e njëjta prirje vërehet edhe me vdekjen. Vullneti ynë duhet të jetë primar mbi zgjedhjen e saj. Sepse ky vullnet hyn brenda skemave të prodhimit. Në Zvicërr, e ndoshta edhe tjetërkund, ka vende të caktuara ku njerëzit vendosin t’i japin fund jetës. Ndërkohë që ka një lëvizje e cila kërkon që njeriu vullnetshëm të çlirohet nga dhimbjet, dhe të vdes. Afërsisht një milion njerëz në vit bëjnë vetëvrasje. Dhe brenda shifrave të caktuara në statistika të vdekjeve ndodhet secili shkaktar i vdekjeve. Shihet si e natyrshme përpjekja për të kuptuar më mirë ‘xhelatët’ e shoqërisë në mënyrë që të kontrollohen e racionalizohen. Dikush mund të pyes se çka ka të keqe nëse vihet kontroll mbi mënyrën sesi vdesim. Në shikim të parë, çdo ndërmarrje për kontroll dhe skematizim duket e mirë dhe e dobishme. Por, çështja është se duhet t’i inspektojmë këto përpjekje. Kemi të bëjmë me interesa të caktuara të akterëve të mëdhenj. Me veprime të superekonomizuara të cilat e nënshtrojnë vullnetin individual dhe gjithë veprimtarinë njerëzore. Unë nuk besoj që ka mënyra adekuate për të vdekur. Por sistemi ekonomikopolitik, po. Beson dhe përpiqet në këtë drejtim.
Është e njëjta gjë edhe me vdekjen e parakohshme. Meqë ndodhemi përbrenda një sistemi që funksionon me anë të kapaciteteve dhe energjive tona, është e kuptueshme që koha për të vdekur është pas daljes në pension. Pensionistët mund të vdesin kur të duan, sepse janë të padobishëm. Madje, për të ilustruar [ama jo për të demonstruar sepse ky është rast i izoluar] prirjen e përgjithshme të kontrollimit të vdekjes mund të përmend një shembull që më vjen ndërmend nga një ligjëratë e Michael Sandel, ku thuhet që është në interes të shtetit të lejojë ‘pirjen e duhanit’ sepse kjo bën që të rritet numri i vdekjeve të pensionistëve, e që përkthehet në më pak pensione për njerëz. Më shumë miliona për shtetin.
Frika nga një vdekje e parakohshme, nga kanceri apo nga ndonjë sëmundje tjetër mua nuk më duket aq e arsyeshme. Në serialin e famshëm Breaking Bad, kryepersonazhi pëson një ndryshim të madh personaliteti sapo zbulon që ka kancer. Nga një profesor i thjeshtë kimie dhe një njeri që e kishte dështuar potencialin e tij të jashtëzakonshëm, ai zhytet në botën e krimit dhe drogës, dhe arrin që në fazën e fundit të jetës të shijojë lirinë dhe potencialin e tij. Ai bëhet kriminel ama jeton. Walter White e kupton që e gjithë jeta e tij i kishte shkuar duke ndërmarrë veprime për të tjerët. Ndër skenat e fundit të këtij seriali, ndoshta në episodin e fundit Felina, kur e takon gruan e tij të rrënuar, ai e pranon se gjithçka që kishte bërë, e kishte bërë vetëm për veten e tij. Në një skenë tjetër që po më bjen ndërmend, Walter White i flet ashpër një tjetër të sëmuri me kancer, i cili kishte dridhma dhe po e rënkonte fatin e tij. Ai e këshillon që ditët e fundit të jetës t’i jetojë me pasion, duke bërë gjithçka që mundet në mënyrë që t’i japë kuptim jetës së tij.
Ndërkohë, të marrim njerëzit e paprekur nga kanceri. Jeta e tyre është e trishtë, melankolike. Një jetë pa kurrfarë pasioni. Me një konformizëm të skajshëm. Të jetosh reduktohet në ‘të bashkëpunosh’ e të ‘konformohesh’. T’i lidhësh të gjitha pritjet tua me kolektivin, shoqërinë e shtetin. Kjo është evidente në shoqërinë tonë, ku edhe më tej ka belbëzime për pamundësinë e shtetit, mostraditën tonë shtetërore, paaftësinë shoqërore për t’i ndryshuar gjërat, e të ngjashme.
Po e përmend sërish filmin ‘Melankolia’ të regjisorit Lars Von Trier. Slavoy Zizek i del kundër reagimeve e kritikave të shumta që i bëhen Von Trier-it për ‘pesimizëm’ ose ‘tepër trishtim’ në film. Bota përnjëmend merr fund, dhe jo si në filmin “2012: doomsday” ose në të tjerë filma apokaliptikë, kur megjithatë përvijohet një fat shpëtimi. Te “Melankolia” e Von Trier e gjithë bota merr fund dhe nuk ka kurrfarë fati shpëtues. Dhe po, një gjë e tillë mund të ndodh përnjëmend, dhe të vdesim të gjithë përnjëherësh. Por, optimizmi i këtij filmi qëndron pikërisht në të kuptuarit e kësaj gjëje, dhe njëkohshëm në të jetuarit më me pasion, më me gjallëri, të kohës së mbetur.
Do të vdesim dhe nuk ka as një mënyrë e as një kohë të përshtatshme për një gjë të tillë. Pikërisht kjo është arsyeja që të jetojmë më me pasion, e më me gjallëri.