Mbi një inkonsistencë të analistëve

Mbi një inkonsistencë të analistëve

Tash, pyetja legjitime që duhet shtruar, besoj, është sa vijon: Nëse para rrëzimit të “Qeverisë Mustafa” analistët e gazetarët e afërt me pushtetin akuzonin partitë opozitare, e sidomos Lëvizjen Vetëvendosje, pse gjoja ato merreshin vetëm me çështje të mëdha (si puna e demarkacionit, zajednicës, bashkimit të Mitrovicës, e kështu me radhë), e jo me çështje të tjera (si puna e korrupsionit, krimit të organizuar, papunësisë, varfërisë, etj.), si është e mundur që të njëjtit analistë e gazetarë tani të na thonë se duhet votuar koalicionin PDK-AAK-Nisma për arsye se vetëm këta kanë aftësinë dhe fuqinë të merren me çështje të mëdha?

Shkruan: Armend Mazreku

Në një të kaluar jo të largët, nuk shpëtonte as edhe një ditë e lume që ndonjë analist a gazetar nuk përkujdesej për të kritikuar subjektet opozitare, e sidomos Lëvizjen Vetëvendosje, pse ajo merrej vetëm me çështje të mëdha e jo me çështje të tjera.

Me çështjet e mëdha, sigurisht, ata nënkuptonin dialogun me Serbinë, demarkacionin me Malin e Zi, bashkimin e Mitrovicës, Bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe, e kështu me radhë; kurse, me çështje të tjera, ata kishin në mendje korrupsionin, krimin e organizuar, papunësinë, varfërinë, etj.

Natyrisht, duke e thënë e stërthënë këtë gjë, gazetarë e analistë të tillë synonin asokohe të na mbushnin mendjen që, çështjet e mëdha që merrej Opozita, e sidomos Lëvizja Vetëvendosje, ishin më pak të rëndësishme krahasuar me çështjen e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, të papunësisë e varfërisë; dhe se vetëm këto të fundit, sipas tyre, do të duhej konsideruar probleme reale të qytetarëve; kurse të parat, çështjet e mëdha, çështje të dorës së dytë, të tretë, ose të katërt.

Madje, nëse e mbani mend mirë, atëbotë na thonin se qytetarët e Kosovës edhe i kanë votuar partitë politike për këtë arsye. Pra, për të zgjidhur problemin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, të papunësisë e varfërisë, e jo të merren me çështje të mëdha.

Në ditët e fundit, sidoqoftë, kur vetëm pak ditë jemi larg ditës së zgjedhjeve, të njëjtit analistë e gazetarë që dikur thonin se qytetarët e vendit i kanë votuar partitë opozitare të merren me çështjen e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, të papunësisë e varfërisë, tash po na thonë se qytetarët e Kosovës duhet votuar koalicionin PDK-AAK- Nismën për arsye se vetëm ky Koalicion ka aftësinë dhe fuqinë për të marrë vendime të mëdha për vendin, e për çështje të mëdha.

Tash, pyetja legjitime që duhet shtruar, besoj, është sa vijon: Nëse para rrëzimit të “Qeverisë Mustafa” analistët dhe gazetarët e afërt me pushtetin akuzonin partitë opozitare, e sidomos Lëvizjen Vetëvendosje, pse gjoja ato merreshin vetëm me çështje të mëdha (si puna e demarkacionit, zajednicës, bashkimit të Mitrovicës, e kështu me radhë), e jo me çështje të tjera (si puna e korrupsionit, krimit të organizuar, papunësisë, varfërisë, etj.), si është e mundur që të njëjtit analistë e gazetarë tani të na thonë se duhet votuar koalicionin PDK-AAK- Nisma për arsye se vetëm këta kanë aftësinë dhe fuqinë të merren me çështje të mëdha?

Pse u dashka tash, pra, të thonë se qytetarët e Kosovës duhet votuar Koalicionin PDK-AAK- Nismën për arsye se vetëm këta kanë aftësinë për t’i zgjidhur çështjet e mëdha, kur vetë këta, një kohë, na thonin se partitë politike janë aty për të zgjidhur problemin e varfërisë dhe papunësisë, korrupsionit e krimit të organizuar? Si u bë tash, pra, që çështjet e mëdha u bënë më të rëndësishme se çështjet e tjera?

Nuk do mend, përgjigja është e thjeshtë: duke qenë që ky Koalicion është i korruptuar dhe i kriminalizuar; duke qenë se, përgjatë gjithë këtyre viteve, ka prodhuar vetëm varfëri e papunësi për qytetarët e vendit, të vetmën shpresë që u ka mbetur për t’i mashtruar qytetarët e vendit është problemi i demarkacionit, Zajednicës, bashkimit të Mitrovicës, etj.?

Megjithatë, qytetarët e Kosovës duhet të mos bien pre e këtij mashtrimi të radhës, por të votojnë atë subjekt politik që është i aftë dhe në gjendje për ta luftuar korrupsionin e krimin e organizuar; për ta luftuar papunësinë e varfërinë; dhe që, gjithashtu, për ta zgjidhur problemin e demarkacionit, Zajednicës, dialogut me Serbinë, bashkimit të Mitrovicës, etj.

Shpërndaje në: