Mbi ndotjen e mushkërive dhe shpirtit

Mbi ndotjen e mushkërive dhe shpirtit

Para disa javësh e mora vesh që isha bërë shoku i më shumë se njëmijë njerëzve në Facebook. T’iu them të drejtën m’u duk vetja i neveritshëm e i ndyrë. Pata dëshirë të madhe që ta mbyllja Facebook-un dhe t’i shpërfillja krejt ato biseda idiote e kaotike që i bëja me ata njerëz. Por m’u kujtua që shkruaj për Periskopin dhe që më duhej t’i shpërndaja në faqen e saj dhe faqen time ato shkrime. Poashtu, të bashkëpunoja me kolegët. Por, ndjesia e neverisë për veten është brenda meje prej asaj dite e tekëndej. Vërej qartë një deformim të skajshëm të strukturës së të menduarit. Më tej, një reformim edhe të strukturës së ndjesive. Një deformim që më bën sipërfaqësor e mediokër. Dhe një strukturë ndjenjësore ku tjetri bëhet zot dhe unë i skllavëruari i tij.

Një ditë një i njohur më tha që “isha zbutë shumë në qëndrimet e mia”. I thashë se ishte rezultat i leximeve. Por, e vërteta është ndryshe. Zbutja e qëndrimeve nuk përkon aspak me njëfarë thellimi të pikëvështrimeve. Jo, ka të bëj me praninë e tjetrit brenda meje. Me pushtimin që i bën tjetri asaj që ndoshta në formë iluzore e quaj vetja. Përmes ‘pëlqimeve’ e komplimenteve në komente e në chat-e, tjetri hyn brenda teje siç u futën grekët brenda mureve të Trojës përmes kalit të drurit që iu dhanë si dhuratë. Dhe, ju e dini që trojanët ishin në festë kur grekët e futur brenda Kalit i hapin portat dhe futen brenda Trojës për të bërë gërdi dhe shkatërruar qytetin. Ishin në festë, të dehur, të kënaqur, duke u ndjerë fitues. Dhe humbën pas gjithë asaj rezistence të suksesshme. Krejt të papërgatitur ndaj asaj që do të ndodhte. Po njësoj futet tjetri brenda nesh. Dhe tjetërson. Hezitues t’iu dilja përkundër skajshëm atyre njerëzve që më shkruanin e komplimentonin, dhe i paaftë ndoshta të përballja ndonjë sharje të kotë, unë u bëra më i heshtur e më i butë. Kështu ndodh edhe me të tjerët.

Facebook-u ka të bëj me relacionet e pushtetit mes njerëzve. Dhe sado e manovrueshme e kollaj e përdorueshme si platformë qoftë, ajo në realitet mësyn mbytjen e çdo lloj shenje të individualitetit. I bën uniformë në mendime e ndjesi, në të kuptuarit e botës e në të vepruar, dhe i angazhon drejt rritjes së pushtetit brenda një strukture të caktuar.

Tash e një kohë të gjatë jam munduar të mos e bazoj mendimin tim për veten në mendimin e të tjerëve për mua. Dhe këtu, me ‘tjetrin’ dua të kuptoni ata njëmijë njerëz në Facebook. Dhe sidomos, ata njerëz që shprehin mendim të mirë për mua. Dhe që më mbajnë afër. Ndjej rrezik shumë më të madh nga ky grup njerëzish se sa nga njerëzit që më përgojojnë apo kanë mendim të keq për mua. Përsëri të sjellim ndërmend Iliadën e Homerit, ku grekët s’mund ta pushtojnë Trojën derisa armiqësia është e shpallur dhe e performuar. Ata e pushtojnë vetëm kur e deklarojnë humbjen dhe, dmth i përgëzojnë për fitoren e iu japin një dhuratë simbolike. Për shkak të sjelljeve brutale, bindjeve radikale për gjëra të caktuara, ose edhe ndonjë aksidenti personal në komunikim, unë ndodhem në listën e të bllokuarve te shumë njerëz. Ama, unë e respektoj secilin prej tyre. Ne mund t’i mbajmë pozicionet tona, kështjellat tona, idetë tona. Por, rreziku vjen nga tjetri miqësor. Nga tjetri pëlqyes. Nga tjetri që është i afërt me ty. Dhe i cili të mbyt pikërisht kur bëhesh i lëndueshëm nga ajo lloj afërsie.

Mendoj se kemi të bëjmë me njëfarë tragjedie. Nuk ka shpëtim. Ose do të bëhemi sipërfaqësorë, të sistemuar në një prej rreshtave të turmës, ose duhet të dalim nga Facebook-u. Kur e them këtë e kam parasysh edhe mënyrën e kujdesshme të komunikimit në letrat mes njerëzve të ndryshëm të rëndësishëm, mendimtarëve e shkrimtarëve me njëri-tjetrin. Prishja me tjetrin është një kërcënim i kudondodhur për ata njerëz që kultivojnë pasione, kanë bindje të vërteta, dhe që nuk futen në lojëra idiote pushteti. Por, prishja me tjetrin është një hiçgjë për njeriun e turmëzuar në Facebook. Për të nuk ka kurrfarë rëndësie miqësia e afërsia me tjetrin. Këto bëhen elemente të pushtimit dhe shkatërrimit të vetes.

Duke qenë se Facebook-u në shoqërinë tonë, ose të paktën në njëfarë komuniteti të përbashkët në të cilin marrë pjesë, promovon forma të ndryshme pëlqimi e dashamirësie – kjo bën që secili të jetë tepër i rrezikuar. Është e pamundur të menaxhosh komunimin me shumë njerëz njëkohshëm. Është e pamundur poashtu të aktivizosh mekanizmat mbrojtës nëse tjetri futet brenda teje dashamirësisht, e pastaj dikund tjetër të përgojon, gënjen, por edhe të spiunon. Marrëdhëniet e afërta virtuale janë shumë të rrezikshme. Ndotëse. Madje, më shumë ndotëse se ajri i Prishtinës. Është një fëlliqje e shpirtit dhe jo e mushkërive.

Nëse nuk doni të fëlliqeni, ka vetëm një rrugë: dilni nga Facebook-u. Ose, nëse iu detyron puna ose jeni bërë të varur, siç tha një ndër investuesit më të hershëm në këtë platformë Roger McNamee, atëherë rimendojeni secilën shoqëri me njerëzit. Dhe kufizojeni sa të mundeni numrin e njerëzve me të cilit flisni. Ndryshe, fëlliqeni. Dhe kjo është një fëlliqje/ndotje shumë më e rrezikshme se ajo e mushkërive.

Shpërndaje në: