Mbi fallsifikimin e historisë dhe turpin për identitetin
Moshatarët e mi – ose ata që u lindën në vitet 92’, 93’, 94’, 95’ e më vonë – e kanë një mangësi të madhe e të pashmangshme në të perceptuarit e vendit dhe të zhvillimeve në të: ata nuk mund të lidhen me frymën e para-vitit 99’. Por faj nuk kanë. Faji është te kosovarët më të vjetër, që ndoshta nga njëfarë turpi i fshehur e i përbashkët, e fallsifikuan masivisht stilin e jetës dhe njëkohshëm të kaluarën e tyre.
Duhet thënë troç: vitet 90’, 80’, 70’ e mëposhtë nuk ishin aspak të lavdishme për kosovarët. Thuhet që ishim të shtypur sistematikisht, dhe se kjo shtypje bëhej në baza etnike. Kjo është pjesërisht e vërtetë. Kështu ndodhi gjatë viteve 90’. E në një masë më të vogël, edhe në dekadat më poshtë. Sido të ketë qenë, kjo kërkon një shqyrtim të mëtejmë.
Meqë shoqëria e sotme është në një fazë të thekshme urbanizimi, ku njerëzit ia mësyjnë natyrshëm qyteteve pavarësisht asfaltit, kanalizimit, shkollave, largësisë së vogël me shërbimet në qytet dhe ajrit më të pastër nëpër fshatra, si pikë e parë e turpit të kosovarëve duhet përmendur atë që në fjalorin tonë shoqëror njihet si ‘katun[d]arizëm’. Ky term nuk përcakton thjesht një stil jete të përqendruar në bujqësi e blegtori, por edhe fazat fillestare të urbanizimit, stilin falls të jetës, dhe sidomos përpjekjen e dobët për t’iu përngjarë trendeve rajonale e botërore. Jo thjesht në veshje, por veçanërisht në mendim. Kjo ka bërë që një varg mendimesh të përqafohen jo-përmbajtësisht, jo si rezultat luftërash të brendshme, përçarjesh të dhimbshme e të natyrshme familjare, apo si rezultat i një arsyetimi të mprehtë – por si rezultat i lëvizjeve të modës. Pikërisht te sfera publike ndodhen shenjat e para të këtij mashtrimi optik. Shfaqen si kërpudhat pas shiut, lloj-lloj njerëzish që nuk dinë të arsyetojnë bindjet që kanë. E që në belbëzimet për këto bindje, i referohen në vazhdimësi asaj që ndodh apo thuhet në Perëndim.
Pastaj, duhet thënë që kosovarët e atyre dekadave ishin thuaj shumica analfabetë funksionalë. Ndërsa, një pjesë e madhe ishin krejtësisht analfabetë. Poashtu, ata ishin edhe të kequshqyer, të keqveshur e keqmbathur. I kushtonin shumë më pak rëndësi higjienës, ndanin më pak vend për kulturën e sportin, për librat e të menduarin. Ishin jashtë historisë e jashtë politikës. Dhe e ushqenin përmes gjithë këtyre racizmin e serbëve dhe popujve tjerë. Përbën racizëm të thuhet ajo që zakonisht thuhet: i fajshëm është vetëm tjetri, serbi në këtë rast. Jo, në fakt faji nuk i takon askujt. Ose, i takon vetë zotit për ata që besojnë, e për ata që s’besojnë në të, i takon rastit ose domosdoshmërisë. Dhe njerëzit thellë-thellë e dinë këtë gjë. Për ata që përparonin kishte vend në sistemin jugosllav. Kishte vend edhe në perandorinë osmane. Kishte vend gjithkund. Ashtu siç kishte vend edhe në Rusinë cariste për stërgjyshin afrikan të Pushkinit. Mirëpo, kosovarët e ruajtën me fanatizëm egërsinë primitive dhe një kulturë të ngushtë kanunore, të vrazhdë e shterpësuese. E cila prodhonte shumë pak mutacione. E keqja e pushtuesve tanë ishte se pushtimin e konceptonin tepër fizikisht. Ata as që u munduan të ndërhynin në këtë kulturë. Ndikimet ose trysnitë nga jashtë është evidentuar se provokojnë njëfarë dinamike sociale, gjë tepër e dëshirueshme për kulturën kanunore të shqiptarëve të asokohshëm. Me të drejtë mund të thuhet që, më pushtuese është Amerika sot, se që ishte Sërbia dje, e Perandoria Osmane pardje. Dje e pardje mund të ishim të dhunuar fizikisht, por sot ne e përçmojmë veten duke ngarendur qorrazi pas vlerave perëndimore.
Megjithatë, fryma ku ndryhej autenticiteti ynë kolektiv dje, ishte e egër dhe e ngushtë. Pse të mos thuhet kjo gjë. Pikërisht te egërsia, banaliteti, gjakmarrja, patriarkaliteti, pleqtë e odave, qentë e lidhur për kolibe, te djerrinat ideore e mendore – qëndronte këmbkryq kultura jonë e djeshme.
Duhet thënë poashtu që e kemi një histori tepër të varfër, tepër të trishtë dhe tepër të palavdishme. Dhe jo vetëm ta themi, por edhe ta pranojmë. Dhe që të arrihet kjo nuk kemi nevojë për ndonjë truk magjistarësh por për mësime më cilësore të historisë së botës. Lënda e historisë e bën më të rëndësishëm Pjetër Bogdanin se Oliver Cromwellin. Më të rëndësishëm Skënderbeun se Sulltan Mehmet Fatihun. Pastaj, më të rëndësishëm Marin Barletin, se Thomas Hobbesin apo Nikollo Makiavellin. E kështu me radhë.
Ky shpjegim tepër i kufizuar e i mangët i historisë, fare natyrshëm, e prodhon një pikëvështrim të çuditshëm sipas të cilit shqiptarët ishin në qendër të zhvillimeve historike. Në qendër të botës. Ata mundohen të shqiptarizojnë gjithçka që munden, e kësisoj bëhen mosvet qesharakë. Pjesë e historisë janë edhe gjithë ata breza të shekujve, XVI, XVII, XVIII, XIX e XX. Pjesë e historisë sonë, e pashkoqitshme madje, është analfabetizmi, gjaku si kundërpeshë e drejtësisë, egërsia e primitivllëku. Pak më vonë, pjesë e historisë sonë u bë pikërisht ngarendja qesharake drejt vlerave liberale, fallsifikimi dhe turpi internal për të kaluarën, ikja e qindra-mijëra njerëzve në kohë lirie nga vendi i tyre, etj.
Ka edhe popuj tjerë që kanë histori të ngjashme. Aspak të lavdishme. Aspak të bukur. Aspak heroike. Por në anën tjetër, ka shumë popuj që kanë histori larg më të lavdishme se e jona, por kjo nuk duhet të na bëj fallsifikatorë e mashtrues. Historia nuk duhet parë si një garë sportive. Tekefundit, nuk jemi në fund të kohëve, ose në kohën më të lavdishme – siç thotë pretendimi i natyrshëm i çdo gjenerate [Ortega y Gasset], e prandaj mund të bëjmë diçka të mirë. Ama, dyshoj që diçka e mirë dhe e qëndrueshme mund të ngrihet mbi fallsifikime e mbi një turp internal që fshihet në shprehjen e një krenarie të rreme.
Ndërkohë, nuk bën të matemi me koncepte fallogocentrike, ende në shek.XXI, lidhur me autoktonësinë tonë, lidhur me tokat e të parëve për të justifikuar vogëlsinë e sotme territoriale. Vogëlsinë e fallusit. Kjo ngre mundësinë për nacionalizëm të rremë romantik, dhe për një pezullim të vullnetit për t’u angazhuar sot, këtu e tash.
Si rrjedhojë e një racizmi internal që vjen nga ato rrena që ne i pranojmë, por s’mund t’i gëlltisim, të rinjtë dhe të rejat nga Kosova e ëndrrojnë perëndimin. Dhe motivet ekonomike nuk besoj që janë të vetmet në vrullin e madh për ikje. Jo, motivet janë poashtu edhe kulturore. Shoqëria jonë është bërë mosvet apatike, e padashur, llomotitëse, pa kurrfarë vullneti për të bërë komb. Prandaj, arratiset kur të mundet në ide jokoherente, ose shtegton si do shpezë të egër e të uritur grabitçar në vendet perëndimore.
Kosovarët duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha që të pranojnë të kaluarën dhe historinë e tyre. Kjo nuk nënkupton të pranojnë vetëm pjesët e ndritura të saj. Por sidomos ato të pandriturat, të lëna në terr, e që qesin krye pikërisht kur e mendojmë veten më objektivisht. Që zhvillojnë turpe e komplekse, e pastaj edhe sjellje korruptive e nënshtrim.
Sot, duke qenë në thelb mashtrues, kosovarët e përçmojnë njëri-tjetrit bazuar në ato vlera të cilat dikur i kishin edhe të parët e tyre. Është tendenca për të mos pasur më mbetje të tilla. Për të mos parë të kaluarën në asnjë pasqyrë të së tashmes. Është një mospranim i çuditshëm, jo ndaj tjetrit – siç iu ndodh rëndom popujve – por ndaj vetes.
Aktivisti për të drejtat e njeriut Malcolm X, derisa ishte në burg, e kishte ndërruar mbiemrin e tij nga ‘Little’ në ‘X’. I pari mbiemër i ishte ngjitur familjes së tij nga skllavopronari i tyre i bardhë, dhe prandaj ai e kishte hequr. Afrikanët ishin shkëputur me dhunë nga rrënjët e tyre dhe nga kultura e të parëve. X-i ndërkohë, ishte një shenjë e mundësisë së lirisë. E mundësisë për t’u vetëpërcaktuar – siç komenton filozofi Slavoy Zizek.
Por, kjo mundësi për vetëpërcaktim është ideale për individët, të cilët edhe ashtu gjejnë rrugë për një gjë të tillë. Fundja, në tipe të ndryshme kulture, nëpër fusha të ndryshme arti dhe sporti, artistët ndodh që ndryshojnë emrat dhe kësisoj e bëjnë vetë shkëputjen në fjalë. Një gjë të tillë e ka bërë edhe këngëtarja britanike me origjinë kosovare, Rita Ora, duke e pasur mbiemrin e vërtetë Sahatçija. Por, shkëputja nga rrënjët është tepër e rrezikshme për shoqëritë – të cilat për nga natyra e tyre janë të vona, të ngathëta, e të padijshme.
Me frymëzimin dhe logjikën sartriane, Zhizheku dështon të kuptojë që kjo liri, ose kjo zbrazëti identitare është e rrezikshme kur i jepet gjithë kolektivit. Është e zorshme të bësh përcaktime kolektive, të përqafosh vlera kolektivisht, ose bindje politike, ose çkado. Kësisoj krijohet një kaos i madh, dhe prishet mundësia për çfarëdo kohezioni social. Kolektivi nuk qëndron bashkë pa një iluzion tepër të fortë të ngulitur tepër thellë. Shkapërderdhet.
Si është e mundur që shoqëria, pyet Michel Djerzinski te ‘Thërrmijat elementare’, të ekzistojë e bashkuar pa fenë? Një pyetje e tillë ende shtrohet nga mendimtarë të ndryshëm, dhe një përgjigjje adekuate ende nuk ekziston. Ndryshe, do ta merrnim vesh.
Imagjinojeni mbi këtë pikëvështrim, një shoqëri krejtësisht të lirë, pa asnjë vlerë që e mban të bashkuar. Pa identitet. Pa asnjë kufizim moral. Ndoshta, s’është nevoja ta imagjinojmë, e kemi para syve e hundëve tona. Ajo që na mban bashkë nuk është ndonjë vlerë e caktuar, apo feja, por shtrëngesat, vizat, pamundësitë për t’u rehatuar tjetërkund, në ndonjë tjetër kolektiv. Sepse, dorën në zemër, këtu e ka mendjen shumica e atyre që kërkojnë heqje vizash. Kërkon të ikë nga shoqëria që e prodhoi. Siç ka ikur nga emrat myslimanë të gjyshërve e stërgjyshërve. Siç ka ikur nga veshjet e tyre. Nga kultura e tyre. Nga gjithçka që e konstituonte atë qenie, me të cilin kinse krenohet kosovari i sotëm.
Liria është e nevojshme për individët, por asnjëherë për shoqërinë. Një shoqëri e lirë ka mundësinë të bëhet skajshëm kriminale. Siç është bërë shoqëria jonë. Një vend në lëvizje të përhershme kaotike i pamundëson lëvizjen atyre që duhet të lëvizin, individëve. Sepse individi ka nevojë që lëvizjen ta shtrijë në një tokë të ngurtë. Individi ka nevojë për armikun e tij, shoqërinë.