Mbi domosdoshmërinë e ‘provokimit’

Mbi domosdoshmërinë e ‘provokimit’

Hapësirat publike nuk duhet të shërbejnë si strehë sociale për njerëz që përtojnë të punojnë e që krejt çka duan është njëfarë atymbetje e përhershme. Hapësirat publike duhet të shërbejnë pikërisht për të performuar provokimin, ku prishet kjo ‘strehë’ dhe rehati e individëve, ku ushtrohet trysni ndaj autoritetit dhe ku shkërmoqet autoriteti i jokompetentëve, shpërfaqet inkonsistenca e vlerave dhe ligjërimeve, e të tjera e të tjera. Pa provokimin, këto hapësira publike e humbin gjallërinë, bëhen monotone dhe joprodhuese. Me një fjalë, thjesht strehë sociale ku e fusin kryet ata që iu vyen njëfarë autoriteti institucional për të ekzistuar.

UP-ja e sotme është në një gjendje konservimi, e druajtur nga çfarëdo prishjeje eventuale e skemës, dhe që bën prodhim serioz e serik të jokompetencës.

Kjo mungesë serioze provokimi është e kudovërejtshme në hapësirat e këtij institucioni. Në korridore të fakulteteve, ku rrallë e hiç sheh ndonjë diskutim të gjallë mes studentësh a profesorësh për çështje të ndryshme publike. Në salla të ligjëratave, ku rrallë e hiç sheh ndonjë debat provokues. Kjo mungesë provokimi vërehet edhe në mënyrën e të ecurit, në pulitjen e syve, në mënyrën e të folurit të profesorëve të rëndomtë që në këtë formë e shtrojnë haptas pritjen për bindje të pakursyer prej studentëve. Dhe edhe këta të fundit iu binden. Mosprovokueshmëria është një politikë në vete që bazohet në njëfarë paragjykimi të informuar se shumica e profesorëve në fakt janë të padijshëm, të paaftë për të duruar provokim intelektual, dhe të frustruar seksualisht, të paaftë për të duruar provokim vleror/seksual.

Vetë profesorët i nënrenditen kësaj politike që e dëbon nga sfera publike provokimin. Ata vetë janë tmerrësisht joprovokues. Pak prej tyre arrijnë që njëmend të provokojnë mendjet e studentëve. Pak prej tyre arrijnë që të provokojnë studim e lexim, kurreshtje e habi. Në fakt, i vetmi tip provokimi që ndillet prej tyre është ai për një notë të lartë, dhe për një pozitë të mirë sociale në skemën e prodhimit. Duke qenë të pozituar, domethënë të rehatuar pameritueshëm, ata natyrshëm ngurrojnë të provokojnë, dhe i frikësohen provokimit.

Nga goja e prorektores së UP-së u dëgjua thirrja që studentet të visheshin në formë joprovokuese. Kjo si masë parandalimi ndaj ngacmimeve ose dhunës seksuale. Kjo e dëfton më tej nevojën e madhe të UP-së për konservim gjërash, për joprovokueshmëri e atymbetje. Me fjalë të tjera prorektorja kërkoi që studentet të mos i lëkundnin vlerat patriarkale të burrave, profesorë e studentë, por sidomos profesorë, vullneti i të cilëve u parakuptua i përqendruar te dija, studimi, ligjërimi. Ajo e bëri të qartë se profesorët mund të provokohen kollaj, prandaj kujdes. Dhe po, kjo është e vërtetë. Profesorët ndihen shpesh të sulmuar edhe nëse iu shtron një pyetje nga kurreshtja. Domethënë jotestuese. Por, edhe nëse i teston, ani çka? Kjo përbën një provokim pushteti, mëse i natyrshëm brenda ambienteve të UP-së që përditë shpërfaqin analfabetizëm e primitivizëm.

Ngacmimi seksual është i patolerueshëm por i kuptueshëm. Ai rrjedhon nga veshjet provokuese të vajzave. Këtu ka diçka mjaft shqetësuese. Si student i UP-së nuk kam hasur ndonjëherë ndonjë veshje që mund të cilësohej e papërshtatshme, ose provokuese seksualisht – madje edhe për një mysliman të moderuar. Ka njëfarë kodifikimi të heshtur veshjeje që respektohet nga të gjithë.  Ajo që shqetëson është në fakt, tendenca për një mbulim të mëtejmë. Për një performim të mëtejmë pushteti ndaj trupit të studentëve dhe për një zgjerim territori të provokueshmërisë së profesorëve.

Emancipimi seksual në fakt mbërrihet me anë të mbylljes, mosprovokimit, por jo e kundërta. Dhe emancipimi seksual i shoqërisë nuk mund të bëhet tjetërkund veçse në hapësira publike. Kodifikimi i veshjeve duhet të përballet me rezistencë, kudo. Nëse i provokuari vazhdon të ndihet i provokuar, dhe e avokon provokueshmërinë e tij si një masë dhune, ndoshta i ndikuar naivisht nga idealizmi subjektiv i Berkeleyt, ai kërkon vendosjen e rrethanës së tij epistemike si rrethanë statitike. Domethënë, i druhet një ndryshimi vleror.

Po nejse, t’i rikthehemi UP-së.

Profesori i rëndomtë i këtij institucioni ka nevojë që studenti t’i bindet, ta shikojë me lavdërim, t’ia pëlqejë statuset në Facebook, ta përshëndes përultësisht në rrugë e t’i thotë fjalë të mira. Egoja e tij është aq e lënduar, sa nuk mund të shëndoshet kollaj. Kjo politikë ego-shëndoshëse për profesorët është shndërruar në njëfarë norme të idealizuar, në njëfarë relacioni ‘të shëndetshëm’ mes profesorëve dhe studendëve. Ai që nuk e respekton profesorin e tij, nuk ka empati për lëndimin që e bren gjithë kohës atë. Për këtë janë në dijeni, qoftë vetëdijshëm qoftë pavetdijshëm, shumica e studentëve të UP-së. I tuten mosvet një sikletosjeje ose provokueshmërie të profesorëve. Një skene ku autoriteti do të rrëzohej.

Mpirja nga mosprovokueshmëria e dyanshme në mendim vetëm sa e ka forcuar mundësinë për rritje të ndjesisë së provokimit seksual. Seksualiteti nuk mund të mendohet si njëfarë aspekti kryekëput fizik i njerëzve. Për aq sa në pavetëdijen tonë i ngurtësojmë e i staticizojmë vlerat tona, ndjesitë tona, provokueshmëria e lëndueshmëria jonë do të jetë më e madhe. Dhe në bazë të kësaj lëndueshmërie, përmes mjetit të autoritetit institucional, rrjetëzohet pushteti i profesorëve të UP-së. Për gjynah!

Një mysliman i caktuar ndihet i provokuar qoftë edhe duke i parë sytë e një gruaje, e prandaj i flet me kryet në tjetëranë. Ose, e provokojnë krahët e saj, mos të flasim pastaj për gjëra të tjera. Ka të tillë që nuk bëjnë dorështrëngim me gratë, si formë përshëndetjeje, sepse e parashtrojnë masën e tyre të provokimit. Provokimi seksual ishte aleti me anë të të cilit u shpërnda shtypja misogjiniste, dhe u përjashtua grua nga sfera publike.

Kodifikimi i veshjes në UP do ta pasonte një kodifikim të vendosur heshturazi shprehjesh dhe sjelljesh. I përmenda më lart ato pritje që i shtron pa marre një profesor i rëndomtë para një studenti. Ai poashtu e shtron pa marre kërkesën për një ‘rrudhje të gjuhës e fjalëve’ kur diskutohet për çështje studimore. Qoftë edhe mosdija e tij, e përçuar me anë të një egoje të lëndueshme, kërkon që të mos flasësh ose që të flasësh me kujdes të shtuar ndaj egos së tij. Ligjërimi i çakërdisur, gabimet e shumta drejtshkrimore të përcjellura ama me një qëndrim pedant prej profesori [ku farkëtohet mbulesa e lëndueshmërisë së egos] e bëjnë çdo student  kurreshtar, të heshtë duke mos dashur të vihet në siklet nga sikleti i profesorit të tij.

Por ndoshta, kjo është ajo që vyen më së shumti në UP: një sikletosje e gjithandejme. Qoftë edhe përmes seksit.

Shpërndaje në: