Mbi 13 mijë barna pa afat në barnatoren e QKUK-së

Mbi 13 mijë barna pa afat në barnatoren e QKUK-së

Mbi 13 mijë barna me afat të skaduar janë grumbulluar në Barnatoren Qendrore të QKUK-së.

Drejtoresha Dardane Mehaj thotë se shumica e këto barna janë që nga periudha e pandemisë, e disa prej tyre edhe më herët.

“…Si ka ardhë të grumbullimi i stoqeve kryesisht kanë ardhë në keqplanifikime, eventualisht nga donacionet prej organizatave të huaja farmaceutike, mënyra se si janë pranu donacionet, afati i skadencës së atyre produkteve për shkak të procedurave derisa kanë mbrri në barnatore, ndoshta procedura kur është afirmu një donacion e deri kur ka mbrri ka qenë aq e gjatë saqë produkti ka ardhë me afat të skaduar ose shumë të shkurtër…”, tha Mehaj për rtv21.

Ministria e Shëndetësisë tha se ka formuar grupin punues për përcaktimin e kritereve ligjore për asgjësimin e produkteve medicinale me afat të skaduar, e gjithashtu është duke punuar edhe për ndërtimin e depos së barnave.

“Ministria e Shëndetësisë ka formuar grupin punues për përcaktimin e kritereve ligjore, kritereve administrative dhe specifikave teknike për asgjësimin e produkteve medicinale në Depon qendrore të MSh-së, i cili ka filluar punën në këtë drejtim. Gjithashtu, Ministria e Shëndetësisë është në proces të shpronësimit të parcelës për ndërtimin e Depos së barnave të MSh-së nga një prone publike e menaxhuar nga AKP, si dhe mbështetur në vlerësimin e investuar nga GIZ-i gjerman është hartuar Dokumenti Strategjik për Menaxhimin e Mbeturinave Mjekësore për të gjitha nivelet e kujdesit shëndetësor. Sa i përket barnave të pa asgjësuara, shumica e barnave janë të regjistruara në regjistrat si barna me afat të skaduar, sipas dispozitave ligjore në fuqi që nga viti 2017.”

Oda e Farmacistëve të Kosovës konsideron se barnat me afat të skaduar deri në procedurat e asgjësimit, duhen deponuar në ambiente të sigurta, pasi që ato lirojnë toksina të rrezikshme.

“…produktet farmaceutike të skaduara fillimisht regjistrohen në një formular ku përcaktohet emri, doza, numri serik, data e skadimit. Pastaj këto barna karantinohen dhe ruhen në një kënd të barnatores deri në përfundimin e të gjitha procedurave ligjore. Kjo është e vetmja formë në institucionet private apo në barnatore. Këto lloje të barnave ka edhe në të gjitha qendrat e Kosovës. Përgjegjësinë për licencinë e kompanive për asgjësimin e barnave e ka ministria e mjedisit dhe planfikimit hapësinor e cila tashmë ka licencuar disa kompani…”, tha Haxhijaha.

Ambientalisti Luan Hasanaj, flet për rrezikun që mund ti kanoset natyrës, njerëzve dhe dhe kafshëve nga mbetjet medicinale, nëse ato nuk asgjësohen në mënyrë profesionale.Në barnatoren qendrore të QKUK-së deklaruan se procesi i asgjësimit konsiderohet të jetë i kushtueshëm.

Organizata Botërore e Shëndetësisë rekomandon disa hapa – përfshirë kthimin te prodhuesi, groposjen, zbërthimin kimik dhe djegien – për asgjësimin e sigurt të barnave me afat të skaduar./RTV21

Shpërndaje në: