Mbi 10 tërmete në orë, çfarë po ndodh në Greqi?
Dridhjet sizmike janë intensifikuar, duke arritur deri në 10 tërmete në orë (me deri në 12 lëkundje të regjistruara mes orës 2 dhe 3 të mëngjesit të sotëm), në zonën detare midis Santorinit dhe Amorgos.
Gjatë periudhës nga ora 09:36 deri në 10:26, u regjistruan pesë tërmete me magnitudë mbi 4 ballë, më i forti duke arritur magnitudën 4.7 në orën 10:26, me epiqendër 20 kilometra në jugperëndim të Arkesinit në Amorgos.
Kjo ka shkaktuar shqetësim edhe në Turqi, ku sizmologët kanë paralajmëruar banorët e zonave bregdetare si Bodrum, Mugla dhe Aydin të jenë të kujdesshëm për mundësinë e një cunami.
“Sekuenca sizmike që po zhvillohet në veri të Santorinit ka një origjinë tektonike, e cila u shkaktua nga një aktivitet vullkanik që ka filluar më 2 gusht 2024. Ky është një fenomen i vazhdueshëm në kompleksin vullkanik Thira-Koloumbo, i cili po monitorohet dhe po merren masa për të përballuar skenarë të mundshëm,” tha Athanasios Ganas, drejtor i Kërkimeve në Institutin Gjeodinamik të Observatorit Kombëtar të Athinës.
Ganas shtoi se mund të ketë një seri pasgoditjesh me magnitudë deri në 4.7, ose mund të ndodhë një tërmet më i fortë që mund të shkaktojë një cunami dhe shpërthim vullkanik. Ai tha se po përgatiten për të dy skenarët dhe po monitorojnë situatën.
Në Anafi, një nga ishujt e prekur, nënkryetari i bashkisë tha se banorët po kalojnë momente të vështira për shkak të tërmeteve të vazhdueshme. “Dëgjojmë një gjëmim dhe pas tij një lëkundje, çdo 5-10 minuta kemi një tërmet,” tha ai. Megjithatë, ai shtoi se ata po ruajnë qetësinë, duke theksuar se “kemi gurë më të fortë se Santorini.”
Në vazhdim të aktivitetit sizmik, video të ndryshme nga banorë të zonave bregdetare të Turqisë, si Izmiri, kanë shpërndarë pamje ku duket se ujërat janë tërhequr, duke krijuar pyetje nëse ky fenomen ka lidhje me aktivitetin sizmik në Cikladet.