May-Linda Kosumovic, aktorja më e mirë në Festivalin SWIKOS në Zvicër
Çmimeve të May-Linda Kosumovic i është shtuar edhe një tjetër.
Kësaj radhe, May-Linda është zgjedhur aktorja më e mirë e edicionit të radhës të Festivalit “SWIKOS”, i cili prezanton filmin shqiptar dhe mbahet në Bazel të Zvicrës.
Me filmin “1 euro”, me regji të Durim Ilazit, aktorja May-Linda Kosumovic morri çmimin e aktores më të mirë, çmim ky që u nda mbrëmë në ceremoninë përmbyllëse të festivalit “SWIKOS”, nga juria në përbërje të Eshref Durmishit, Michael Flume dhe Tom Gerber. Për KultPlus, aktorja u shpreh mjaft e lumtur për këtë arritje, pasi përgjatë dy viteve ajo mblodhi gjithsej katër trofe.
“Ky është çmimi i parë që marr me film, u gëzova shumë kur mora lajmin, pasi që nuk munda të jem e pranishme në festival. Më vjen mirë që puna ime u vlerësua”, tha për KultPlus Kosumovic.
Së fundmi, May-Linda Kosumovic fitoi çmimin si aktorja më e mirë në Festivalin “Teatri Shqiptar në Maqedoni”, me shfaqjen “Një burrë mes dy grash”. / KultPlus.com