Matoshi shkruan për videon e cila u përdor për ta sulmuar: Ishte dokumentar i sllovenit Iztok Tory që vdiq sot e që Kurti e kjau me lotë

Matoshi shkruan për videon e cila u përdor për ta sulmuar: Ishte dokumentar i sllovenit Iztok Tory që vdiq sot e që Kurti e kjau me lotë

Gazetari dhe publicisti kosovar, Halil Matoshi, ka shkruar sot për një video që është publikuar në rrjete sociale e që është përdorur për ta sulmuar atë. Sipas Matoshit, atë video e kishin plasur në internet si një pamje “sekrete”, dhe e kishin përdorur për ta sulmuar me pretendimin se aty Halil Matoshi shihet duke biseduar me “paramilitarë serbë”.

Matoshi ka sqaruar se ajo video e shkëputur është pjesë e një dokumentari të regjisorit slloven, Iztok Tory, të cilin e kishte bërë për Kosovën dhe jetën nën terror të shqiptarëve të Kosovës.

Siç tregon Matoshi, video është e vitit 1989 ku ishte bërë një protestë kundër orës policore, dhe protagonistë në atë video janë poeti Mirko Gashi, Astrit Salihu dhe Migjen Kelmendi, duke folur për televizionin slloven dhe për dokumentarin e Iztok Toryt.

Për këtë fushatë linçimi përdorimin e një, Matoshi bën përgjegjës militantët e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Entuziast t’padijshëm e shpirta t’keq, tue paraqitë dokumentarin e Tory-t  si dosje  ‘sekret’ demek si shkas me i gozhdu shqiptarët, e këputen naj copë nga ky dokumentar i shfaqun nga TV slloven po më 1989 dhe ua hodhen si asht militantave rrugaçë e t’pa ftyrë të Lëvizjes Vetëvendosje, me mbishkrimin: “Halil Matoshi tue folë me paramilitarë serbë gjatë Luftës së Kosovës!?””, ka shkruar Matoshi.

Publicisti dhe gazetari Matoshi ka treguar se Iztok Tory është pikërisht regjisori slloven, i cili ka vdekur sot e për të cilin kryeministri Albin Kurti ka shkruar i mërzitur dhe ka treguar për punën e tij në raport me Kosovën.

Matoshi thotë se mbase Kurti ka përkujtuar Iztok Toryn me rastin e vdekjes, por shton se Kurti s’ka kërkuar falje për personazhet e dokumentarit që u denigruan me vite duke përdorur ato pamje./Periskopi/

Shpërndaje në: