Matanë familjes tradicionale

Matanë familjes tradicionale

Muajin e kaluar, Papa Françesku shkoi në Abu Dhabi ku takoi Ahmed el-Tayeb, Imamin e Madh të Al-Azhar (Universiteti Al-Azhar është institucioni kryesor suni për studimin e ligjit islamik). Të dy liderët fetarë nënshkruan një “Dokument mbi Vëllazërinë Njerëzore për Paqen në Botë dhe Bashkëjetesën” duke u bërë thirrje ithtarëve të tyre, si dhe liderëve botërorë, të përhapin tolerancën dhe paqen dhe t’i japin fund “rënies morale dhe kulturore që po përjeton aktualisht bota”.

Një aspekt i kësaj rënie të supozuar morale dhe kulturore ka të bëjë me familjen: “Të sulmosh institucionin e familjes, ta përbuzësh atë ose të dyshosh rolin e saj të rëndësishëm” , cituan Papa dhe Imami i Madh, “është një nga të këqijat më kërcënuese të epokës tonë”. Dokumenti pohon se familja është “bërthama themelore e shoqërisë dhe njerëzimit” dhe “është e domosdoshme për të sjellë në jetë fëmijët, për t’i rritur ata, edukuar dhe për t’u ofruar atyre një formim solid moral dhe siguri të brendshme.”

Shqetësimi i tyre është i kuptueshëm. Ne shumë vende sot, familja tradicionale e përbërë nga një çift i martuar heteroseksual me fëmijë po bëhet gjithnjë e më pak dominuese. Por a është kjo një gjë e keqe?

Kombet e Bashkuara parashikojnë se popullsia e botës do të kalojë 11 miliardë deri në fund të shekullit, me rritjen më të shpejtë që ndodh në disa nga vendet më të varfra të botës. Në këto rrethana, nëse disa njerëz zgjedhin të mos sjellin në jetë fëmijë, ata nuk duhet të diskreditohen.

Përqindja e njerëzve që janë të martuar ligjërisht është në rënie në disa rajone, për një sërë arsyesh. Ndërsa stigma që i bashkëngjitej dikur “jetesës në mëkat” zbehet, shumë çifte shohin pak arsye për t’u martuar, pavarësisht nëse kanë apo jo fëmijë. Në disa vende, vështirësitë ligjore dhe kostot që lidhen me divorcin janë pengesë për martesën.

Këta çifte, sigurisht, mund të krijojnë familje që janë po aq të forta sa ato të krijuara nga çiftet që kanë kryer një ceremoni ligjore martesore. Në mënyrë të ngjashme, familjet e “përziera” që sjellin fëmijë nga marrëdhëniet e mëparshme mund të ofrojnë gjithçka që ofron një familje tradicionale. Në shumë vende, çiftet e të njëjtit seks mund të martohen dhe të formojnë familje, edhe pse si papa ashtu edhe el-Tayeb i kundërshtojnë familje të tilla dhe me sa duket nuk i konsiderojnë ato si të përshtatshme për t’i ofruar fëmijëve një “formim solid moral”. Trendi midis grave beqare për të pasur fëmijë, shpesh duke përdorur inseminimin artificial ose fekondimin in vitro, pa dyshim shqetëson përkrahësit e familjes tradicionale.

Ndoshta ndryshimi më i rëndësishëm, megjithatë, është numri në rritje i njerëzve që zgjedhin të jenë beqarë. Në Shtetet e Bashkuara, 45% e të rriturve janë ose të divorcuar, të ve, ose nuk kanë qenë kurrë të martuar. Në disa vende, si në Nju Jork, shumica e njerëzve janë beqarë.

Në kundërshtim me stereotipin se njerëzit beqarë janë të vetmuar dhe jo të lumtur, hulumtimi tregon se beqarët në fakt janë më të angazhuar në një rrjet të gjerë miqsh dhe të njohurish sesa të martuarit. Ata bëjnë më shumë për komunitetin dhe për të tjerët dhe kanë më shumë gjasa të ndihmojnë prindërit, vëllezërit e motrat apo fqinjët e tyre, sesa njerëzit e martuar.

Kjo nuk duhet të jetë aspak surprizë. Çiftet e martuara kanë gjasa të vënë të parin bashkëshortin/bashkëshorten e tyre, të paktën derisa të bëhen me fëmijë, dhe më pas kjo përparësi kalon te fëmijët. Tendenca për t’u kujdesur për një rreth më të gjerë sesa familja e vet është etikisht e preferueshme, sidomos në shoqëritë e pasura, ku anëtarët e tjerë të familjes ka gjasa të jenë shumë më mirë sesa të huaj më të largët në vendet me të ardhura të ulëta. Si Bibla ashtu edhe Kurani e njohin këtë pikëpamje më universale si etnikisht më superiore.

Ne nuk po e mohojmë se ka një vlerë të madhe në ndarjen e shoqërisë në njësi të vogla në të cilat të rriturit kanë përgjegjësi specifike për fëmijët që jetojnë me ta. Kjo është në harmoni me ndjenjat tona instiktive, të cilat mund t’i vëzhgojmë edhe te gjitarët tjerë. Marrëveshjet alternative, siç është rritja kolektive e fëmijëve në një kibbutz izraelit, nuk kanë qenë të suksesshme, edhe pse eksperimentet joformale në bashkë-prindërim, në të cilat grupe të rriturish rrisin fëmijë të disa prej tyre së bashku, duket se po përhapen.

Një familje që funksionon mirë siguron një mjedis më të dashur dhe më të qëndrueshëm për fëmijët sesa çdo model tjetër i hartuar deri më tani, por kjo nuk do të thotë se ajo duhet të bazohet në një martesë tradicionale. Në fakt, pavarësisht se Papa dhe Imami i Madh janë dakord për rëndësinë e familjet, traditat e krishtera dhe myslimanët kanë koncepte të ndryshme se çfarë është një familje, me të fundit që i lejon burrat të kenë më shumë sesa një grua. Nëse, pavarësisht nga këto dallime, Papa Françesku dhe el-Tayeb janë gati të pranojnë përkrahjen e njëri-tjetrit për “familjen”, ata duhet të jenë në gjendje të pranojnë edhe modele të tjera, përderisa nuk ka prova të forta se ato janë të dëmshme për ata që janë të përfshirë në të, përfshirë edhe fëmijët.

Është interesante që një “Dokument mbi Vëllazërinë Njerëzor për Paqen në Botë dhe Bashkëjetesën” duhet të pohojë se të dyshosh për rëndësinë e familjes është një nga të këqijat më kërcënuese të epokës tonë. Nga këndvështrimi global, nuk është e dobishme të kufizohemi në njësi të tilla të vogla. Udhëtimet dhe interneti po mundësojnë miqësi të reja përtej shtëpisë dhe përtej kufijve të vendeve tona. Nëse jemi me të vërtetë të shqetësuar për “vëllazërinë njerëzore”, atëherë ndoshta duhet t’i kushtojmë më shumë rëndësi ndërtimit të marrëdhënieve që shtrihen në çdo anë të globit, sesa të dënojmë ata që e shohin familjen tradicionale si kufizuese me pa të drejtë. /Project Syndicate/BIRN/

Shpërndaje në: