Mashtron Qeveria në detyrë: Serverët e Gjermanisë nuk u përdorën në zgjedhjet e 9 shkurtit
![Mashtron Qeveria në detyrë: Serverët e Gjermanisë nuk u përdorën në zgjedhjet e 9 shkurtit](https://www.periskopi.com/wp-content/uploads/2025/02/476434228_409405612230219_8197627156562729773_n-487x300.jpg)
Derisa po arsyetohej se nuk kanë të bëjnë me problemet në uebfaqen zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjdhjeve – të cilat ka dyshime se mund të kenë ndikuar në rezultatin zgjedhor – zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, “ua la fajin” serverëve që Kosovës ia dha Gjermania. Një gjë e tillë nuk është e vërtetë, pasi që Nacionale ka mësuar se ata nuk janë përdorur fare këto zgjedhje.
Pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të nëntë shkurtit, Gjermania i dha donacion Komisionit Qendror të Zgjedhjeve serverë e pajisje përcjellëse në vlerë të 140 mijë eurove.
“Digjitalizimi i procesit zgjedhor do të jetë kyç në këtë progres. Ky donacion prej më shumë se 140 mijë euro, siguron që edhe këto zgjedhje aktuale dhe në të ardhmen të jenë të sigurta në Kosovë, dhe në Gjermani, derisa kemi zgjedhje në tri javë”.
“…jam i sigurt se do të kemi zgjedhje pa vështirësi, dhe të dielen do t’i dijmë rezultatet ku do të flasin qytetarët” – kishte thënë ambasadori Jorn Rohde.
Anise donacioni u bë në prag të zgjedhjeve, Nacionale ka mësuar nga burime diplomatike të mirëinformuara se ata nuk u përdoren për shkak se nuk ka pasur kohë që stafi të trajnohet me pajisjet e reja.
“Ata serverë nuk janë përdorur për zgjedhjet e 9 shkurtit. Donacioni u bë shumë afër zgjedhjeve, nuk pati kohë që stafi të trajnohet me pajisjet e reja” – ka thënë ky burim.
Më nëntë shkurt, në orët e vona të mbrëmjes derisa qytetarët prisnin që të publikoheshin rezultatet preliminare, uebfaqja e KQZ-së u shoqërua me probleme të cilat jo vetëm që nuk tregonin rezultatin, por në disa raste i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje më shumë vota se sa që duhej, shembull, në disa qendra më shumë se sa që kishte votues.
Rezultatet do të publikoheshin vetëm një ditë më pas, dhe një gjë e tillë do të shkaktonte regime të shumta.
Prokuroria Themelore në Prishtinë veçse ka nisur hetimet për problemet me faqen e KQZ-së në natën e nëntë shkurtit.
Ndërkohë Përparim Kryeziu, zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, duket se e gjeti “fajtorin” për problemet e vazhdueshme në faqen zyrtare të KQZ-së. Ai arsyetua duke thënë se “nuk kanë të bëjnë me problemet” aty.
Në një postim në Facebook, ai u kujdes që të përmendte se serverët u janë dhënë si donacion nga Gjermania.
“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka të bëjë as me serverët e as me softëare-in e KQZ-së për digjitalizimin e procesit zgjedhor, duke përfshirë raportimin e daljes së votuesve në zgjedhje dhe rezultateve preliminare. Për informim të qytetarëve, KQZ ka pranuar serverë dhe pajisje përcjellëse për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve si donacion nga shteti i Gjermanisë kurse prokurimi për softëare-in e KQZ-së është bërë nga OSBE, gjithashtu si donacion.
Për këtë ka njoftim publik dhe raportim mediatik.
Akuzat në drejtim të Qeverisë për problemet teknike të sistemit digjital të KQZ-së janë përpjekje e ulët për të shkaktuar huti me qëllim që të ulet besimi në procesin zgjedhor dhe në rezultatin e tij” – tha ai.