Mashtrimi me bileta: Ia qitën në MerrJep numrin qytetarit nër llastik

Mashtrimi me bileta: Ia qitën në MerrJep numrin qytetarit nër llastik

Panika ka filluar t’i kaplojë fansat kosovarë të cilët asesi nuk po mund të sigurojnë një biletë për ndeshjen Kosovë-Angli që zhvillohet në “Fadil Vokrri”, të dielën.

Faqja që merret me shitjen e biletave për ndeshjet e Kombëtares, “tiks.app” ka rënë për shkak të fluksit të madh të aktivitetit, derisa së fundmi kjo faqe doli me një lajmërim zyrtar ku tha se pritet rikthimi i shpejtë pasi sajti është bllokuar për shkak të interesimit të jashtëzakonshëm, shkruan Periskopi.

Çuditërisht, pavarësisht kësaj rënieje, në uebsajtin “MerrJep” janë vendosur disa shpallje ku potencohet se biletat janë të disponueshme për shitje.

“Bileta Kosovë-Angli me shumicë”, është një prej shpalljeve.

Periskopi ka kontaktuar me një qytetar numri i të cilit figuronte në këtë shpallje, derisa ka marrë një përgjigje tejet interesante.

I pyetur nëse ka vendosur shpalljen në “MerrJep”, ai mbeti i hutuar dhe nuk dinte për çka bëhej fjalë.

Për të qenë ekzakt, fjalët e tij ishin: “Jo more çfarë bileta, nër llastëk jam, m’boni qull shiu.”

Gazetarja i kërkoi falje për shqetësimin, por mori një përgjigje edhe më interesante: “Nuk m’shqetësove, po m’tranove krejt.”

E ky po del të jetë një fenomen trend aktualisht si duket, me drejtorin Valës, Agron Mustafa që bëri një postim në Facebook duke thënë se dikush e kishte vendosur numrin e tij në një shpallje të tillë dhe po merr shumë telefonata. /Periskopi.com/

Shpërndaje në: