Masakra emocionale e një gjenerate fëmijësh

Masakra emocionale e një gjenerate fëmijësh

Gjatë këtyre ditëve, pamë përhapjen e një lajmi se si një mësuese në një shkollë fillore, ka rreshtuar fëmijët që nuk e kanë mësuar përmendësh një vjershë dhe i ka postuar ata në Facebook. Dikush tha se mësuesja e ka bërë këtë në profilin e saj në Facebook, dikush tha se ajo e ka bërë këtë në një rreth të ngushtë, apo ‘Grupe të mbyllura’ që krijohen në Facebook, ku anëtarësohen vetëm njerëz të caktuar, në rastin tonë, prindërit.

Ndëshkimi publik i fëmijës tash na u bëka në mënyrë virtuale.

Gjenerata ime është dëshmitare e ndëshkimeve në klasë, si në vendet arabe, kur thyhen rregullat fetare…Për shembull: ka pasur mësues që gjatë një ore mësimi e ka detyruar dikë të qëndrojë në një këmbë për ndonjë arsye që ai ka konsideruar që duhet të qëndrojë. Rasti i fundit më mësuesen në Prishtinë, megjithëse është absurd, nuk duhet të na habis. Nëse na habitë, ne po improvizojmë se gjoja jemi një gjeneratë që nuk jemi turpëruar publikisht për ‘gabimet’ ose gabimet që kemi bërë në klasë si nxënës. Turpërimi publik na ka përcjellur gjatë gjithë shkollimit. Nëse ka qenë ‘nevoja’, kemi pasur edhe pseudonime absurde nga mësuesit dhe si gjeneratë, kemi pësuar masakër emocionale në të shumtën dhe të shpeshtën e rasteve.

Nëse nuk na ka shkuar një lëndë, siç e përdorim këtë shprehje, kemi qenë të vetëdijshëm se do të turpërohemi publikisht për këtë. Pra, mësuesi na ka parë fajtor që truri ynë nuk ka qenë i gatshëm të jetë i shkëlqyeshëm edhe në Gjuhë shqipe edhe në Matematikë. Nëse ke qenë i shkëlqyeshëm në shumicën e lëndëve e në një jo, atëherë të ka pritur ndëshkimi emocional (ty krejt lëndët po t’i rrokë veç temen jo. Pse kështu athu?!).

Asnjë qeveri, asnjë Ministri Arsimi e udhëhequr nga s’di kushët, jo që nuk ka punuar t’i shërojë këto plagë të shkaktuara në ne. Këto sjellje, vazhdojnë të na përcjellin edhe në nivele të më të nalta edukimi.

Ministritë e sociologët, shpesh flasin për mungesën e psikologëve në shkolla, por së pari, janë shumë mësues që duhet t’i nënshtrohen kontrollit të psikologut sepse mungesa e aftësive pedagogjike e mësuesit ndonjëherë e bën nxënësin për psikolog.

Pra ne vuajmë pasojat e një sistemi arsimor që në ambalazh duket modern por nëse e shplojmë, është i prapambetur dhe që të turpëron qoftë edhe kur nuk duhet, publikisht.

Vuajmë pasojat e mësuesve të paraluftës, që nuk arrijnë mjaftueshëm të kapin ca programe pak të avancuara kompjuterike, e lëre më diçka tjetër si dhe të atyre të pasluftës që kënaqen kur arsyetohen se gabimi i tyre ka qenë i ‘postuar në një rreth të ngushtë në Facebook’.

 

Shpërndaje në: