Martin Odegaard, kapiten i ri i Arsenalit
Arsenali ka njoftuar se Martin Odegaard do të jetë kapiteni i parë i skuadrës për sezonin e ri – 2022/23.
Mesfushori norvegjez është pjesë e “Topçinjve” nga viti 2021, duke përfshirë edhe sezonin e parë si i huazuar nga Real Madridi, shkruan Gazeta Express.
23-vjeçari deri më tani ka regjistruar 60 paraqitje me Arsenalin, teksa ka shënuar nëntë gola dhe ka shtuar shtatë asistime.
Vlen të theksohet se Odegaard është kapiten edhe te Kombëtarja e Norvegjisë që nga viti 2021.
“Jemi të lumtur të njoftojmë se Martin Odegaard është emëruar kapiteni ynë i ri i ekipit të parë për meshkuj.
23-vjeçari ka bërë një ndikim të madh që kur mbërriti në Emirates Stadium nga Real Madrid në janar 2021, fillimisht në formë huazimi dhe ka luajtur 60 herë, duke shënuar nëntë gola.
Odegaard ka përvojë në mbajtjen e shiritit, pasi ka qenë kapiten i Norvegjisë që nga marsi i vitit 2021, me të cilin ka fituar 43 paraqitje.
Martinit i urojmë suksese si kapiten”, thuhet në njoftimin e Arsenalit. /