Martial e dëshiron largimin nga Manchester United
Sulmuesi francez Anthony Martial dëshiron të largohet nga Manchester United, ka thënë agjenti i tij.
26-vjeçari ka startuar vetëm dy ndeshje në Premier League këtë sezon duke shënuar një herë.
Ai nuk është paraqitur në asnjërën nga ndeshjet e Ralf Rangnick në krye deri më tani, me gjermanin që thotë se Martial pësoi një goditje të vogël në stërvitje javën e kaluar.
“Anthony dëshiron të largohet nga klubi në janar”, tha agjenti i tij Philippe Lamboley për Sky Sports.
“Ai thjesht duhet të luajë. Ai nuk dëshiron të qëndrojë në janar dhe unë do të flas me klubin së shpejti”, tregoi Lamboley.
Duke folur para udhëtimit të së shtunës në Norwich, Rangnick u pyet për planet e tij të transferimit për afatin kalimtar të janarit.
“Ne duhet të sigurohemi që lojtarët duan të qëndrojnë këtu”, tha ai. “Nëse lojtarët nuk po marrin kohë të mjaftueshme për lojë, mund të ketë kuptim të flasim individualisht. Huazimi mund të ketë kuptim për disa”, deklaroi Rangnick.