Marta Kos misionin e parë në Ballkanin Perëndimor e nis me vizitë në Mal të Zi

Marta Kos misionin e parë në Ballkanin Perëndimor e nis me vizitë në Mal të Zi

Komisionarja e Bashkimit Europian për Zgjerim, Marta Kos, do të shkojë në Mal të Zi në atë që e quajti “misioni i parë” në Ballkanin Perëndimor.

Ajo tha se po shkon atje për të festuar “hapat e mëdhenj” që e bëjnë Malin e Zi vendin më të përparuar në negociatat e pranimit në BE.

“Unë jam duke udhëtuar drejt Malit të Zi në misionin tim të parë në Ballkanin Perëndimor. Do të qëndroj këtu për të festuar hapat e mëdhenj të Malit të Zi, të cilat e bëjnë atë vendin më të përparuar në negociatat e pranimit dhe për të inkurajuar malazezët që të vazhdojnë me këtë ritëm”, shkroi Kos sot në X.

Përveç në Mal të Zi, Kos do të shkojë edhe në Shqipëri.

Këto vizita ajo i paralajmëroi duke folur para deputetëve në Komisionin për politikë të jashtme të Parlamentit Europian në Bruksel, të martën.

“Mali i Zi ka vizion t’i përmbyllë negociatat deri më 2026 dhe Shqipëria deri në vitin 2027. Ne do t’i mbështesim ato, por duhet një punë shumë e madhe. Parimi i procesit të bazuar në merita duhet të jetë i vlefshëm edhe për vendet kandidate, por edhe për vendet anëtare të BE-së. Pra, kur kandidatët t’i përmbushin kriteret, atëherë vendet e BE-së duhet të mundësojnë ecjen përpara“, ka thënë Kos.

Ndërkaq, për Kosovën ajo në Parlament tha se nuk do të ketë lëvizje para zgjedhjeve, por se pas tyre duhet të lëvizet shpejt.

“Atje [në Kosovë] do të ketë zgjedhje. Nuk pres se do të mund të lëvizim para zgjedhjeve, por shpejt pas zgjedhjeve duhet të lëvizim. Sepse nuk mund të flasim për rajonin e Ballkanit Perëndimor nëse nuk flasim për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës ose ndaras se çfarë është duke bërë Kosova e çfarë është duke bërë Serbia”, kishte deklaruar Kos.

Shpërndaje në: