Marshi i nostalgjikëve: me shkollën dhe kulturën të ndara nga liria dhe subverzioni politik

Marshi i nostalgjikëve: me shkollën dhe kulturën të ndara nga liria dhe subverzioni politik

Nga fakti se edhe vetë Rilindja shqiptare e shek. XIX i përdor mish e thua kategoritë e shkollimit, lirisë e shtetit, e për rrjedhojë edhe kulturës, mundësia e manipulimit me këto kategori për të painformuarit e të palexuarit mbetet e hapur edhe sot anipse kanë kaluar shekuj.

Nuk po dua këtu t’i ripërsërisë shkaktarët që kanë çuar jo vetëm deri tek zbehja e kujtimit të asaj periudhe si periudhë okupimi. E as tek martesa e përçudnuar e pasluftës mes çlirimtarëve UÇK-istë me me ish çlirimitarët partizanë, që për rrjedhojë kanë krijuar një huti totale në  mundësinë për të krahasuar, dalluar e kuptuar, e së këndejmi edhe për të menduar, gjendje, koncepte, ngjarje e zhvillime. Jo, dua vetëm të zbardh –  për aq sa di dhe  mundem  – për brezin e  parë 18 vjeçësh të pasluftës, brez ky që nuk kujton as të 90-tat, (meqë ka lindur më 1998 ose 1999)  disa dallorë të thjeshtë: atë lirisë dhe shkollimit, si dhe atë të kulturës dhe politikës.

Pasi që pjesa e prirur në mënyrë të heshtur ose të hapur ta relativizojë okupimin, me fjalë tjera apologjetët e Jugosllavisë, kur flasin për kohën jugosllave vazhdimisht ndërmendin shkollimin, UP-në etj, si dofarë procesorësh të lirisë, që siç lihet të nëkuptohet paska pas qenë duke ardhur po të kishim ndenjur urtë, nuk kam çare pa ndërhyrë.

Por së pari disa përqasje mbi gabimet në hapa.  Marrja për bazë e epilogut të një ngjarjeje si variabël vlerësues për  fillimin dhe rrjedhën e ngjarjes, në metodologjinë shkencore quhet vigizëm (vigism). Vigizmi është nocion i afërt me anakornizmin, por jo e njejta gjë. Tek gabimi vigist kemi të bëjmë me një përjetim dhe lexim teolologjik të historisë, gati religjioz. Meqë këtu përfundimi lexohet si i destinuar që në fillim për të qenë i tillë çfarë është, plasin gjykimet: “ka qenë e ditur”, “kjo na solli vetëm të këqija”, “më mirë do të ishte të mos çoheshin fare” etj.

Një përjetim i tillë i deprivuar nga idealizmi, përkatësisht një lexim i tillë i historisë çuditërisht vije më pak nga ata që e kanë pësuar/e pësojnë drejtpërdrejtë nga veprimi pushtetar, e shumë më shumë nga ata që p.sh. e tëra çfarë mund të kenë pësuar nga ndërrimi në teren, mund të ketë qenë pamundësia e korzos pas orës 21:00, meqë mund të ketë hyrë në fuqi  ora policore. E kjo domosdo ta kujton maksimën e Deleuzesë: “argumentet që vijnë nga një përvojë e privilegjuar vetanake janë argumente të këqija dhe reaksionare”.

T’i kthehemi tani temës. Relacioni i lirisë me shkollën është kompleks, por gjithsesi liria i paraprin shkollimit. Kjo sepse ndividi lind i lirë, jo i shkolluar. Individi vije në jetë, para se të shkoj në shkollë.  (Mos)ardhjen në jetë njeriu nuk e zgjedhë, kurse (mos)shkollimin po. Si i tillë instikti i revoltës lind me vetë individin, kurse shkolla e arsimimi i tij janë ardhje të mëvonshme në subjektin e tij, por as kjo jo në 100% të rasteve.  Liria dhe revolta i paraprijnë shkollimit edhe ateherë kur shkollimi përbën arsyen/arsyetimin e revoltës. Mund të thuash “u revoltua për shkollim”, “donte liri për t’u shkolluar”, por jo “u shkollua për të qenë i lirë”.

Qendërzimi i idesë së shkollës si një tutelë gjithëpërfshirëse për hirë të konstituimit të individit shkollar modern, është produkt krejtësisht i vonë: në Europë i tre shekujve të fundit, në Ballkan i 1-2 shekujve të fundit, kurse në rastin e shqiptarëve e Kosovës është goxha e diskutueshme kur por jo më shumë se e 70-100 vjeçarit të fundit.

Tani  a e fituan shqiptarët lirinë kur UP-ja filloi funksionimin? Përgjigja është jo. Përse? Sepse nuk u çliriuan as para hapjes së tij, dhe as krahas me të. UP-ja erdhi pas shuarjes të çdo lloj rezistence serioze militare a politike në periudhen 1946-1966. UP-ja nisi si zgjatim i Universitetit të Beogradit (pra kishte një korrelacion institucional me qendrën pushtetare që deri dje ishte burim i dhunës), dhe jo si rezultat i ndonjë flakjeje tej të Jugosllavisë a i konstituimit të shqiptarit të lirë.

Pra nuk kemi të bëjmë as me liri nga (entiteti burimor i dhunës) dhe as me lirinë për (të menduarit çka më pas). Kemi të bëjmë me një shembull ku një pakiceje kombëtare (!),  i ofrohet gëzimi i një lirie më të madhe kulturore-arsimore, jo diç më shumë. Madje UP-ja nuk mban as primatin e nisjes së arsimimit modern tek shqiptarët e Kosovës, meqë – sado e vogël – edhe në vitet 1920-1945 ka ekzituar një elitë shqiptare e shkolluar qoftë në Stamboll, qoftë në Selanik, qoftë universitete europiane.

Për ironi, hapja e UP-së erdhi në vitin kur Afganistani nisi luftën për çlirim nga Bashkimi Sovjetik dhe vitin kur afrikanët (me shkollim nëngjysmak), poashtu po çliroheshin. Dikush mund të krenohet që u hap para Universitetit të Podgoricës, por Mali i Zi gëzonte statusin e Republikës që nga viti 1946, anipse malazezët historikisht nuk kishin ndonjë dallim astronomik në edukim a në kulturë nga shqiptarët.

Universiteti i Heidelbergut ekziston që nga viti 1386, por Gjermania mezi u bashkua e prirë nga Bismarku, pesë shekuj më vonë. Këta shembuj janë të mjaftueshëm për të konstatuar se derti i nostalgjikëve nuk ishte/s’është liria e munguar, por rrezikimi i privilegjeve, dhe se çlirimi mund të niset edhe pa ndonjë nam të madh në traditë universitare.

Nga nostalgjikët do të prisnim të paktën një konstatim të llojit: “si nuk u hap UP-ja shumë më herët e të mund të maturoheshin edhe problematikët me kohë” (pra një doze kritike për pushtetin e atëhershëm), e jo gjykime negative për pjesën e pakënaqur shqiptare edhe pas vdekjes së Titos. Madje përfundojnë krejt lakuriq në mosnjohuri kur ardhjen e profesorëve nga Tirana në vitet 1970-1981 e shohin si njëfarë diverzioni me tankse të enverizmit në Kosovë. E në fakt e tëra ngjau në suaza “kontraktuese” të vetë Jugosllavisë me Shqipërinë. Profesorët hynë  me vetë lejen e Jugosllavisë.

Vetë Albanologjia (pra dega e studimeve shqiptare) u themelua nga një jo-shqiptar: Vojislav Dançetoviq, gjë që apriori s’do të duhej të paragjykohej, por kur për një gjë aq native çfarë është gjuha, respektivisht studimet mbi popullatën shumicë vendore,  “ngelin” në duar të pjesëtarit pakicë të vendit (relacioni me të cilën është  thënë më së buti i ndërlikuar e më së vrazhdi endemik), kjo nuk i bie bash rastësi. Aq më pak e rastësishme kur s’ishte edhe që nuk ekzistonin albanologë shqiptarë në të ato vite.

Po të truallzohej Kosova si atdhe i shqiptarëve në Jugosllavi, Instituti i Albanologjisë nuk do të duhej fare të quhej i tillë, por vetëm Institut i Gjuhësisë sepse njeriu i atdhesuar nuk ka nevojë që në kryeqytetin e tij, për mësimet rreth gjuhës, letërsisë dhe historisë së popullit të tij, ta ketë të shenjuar se janë  të popullit të tij!  Eteri hermeneutik i emerëtimit Instituti ALBANOlogjik mbars një distancë subjekt-objekt: “nëse jeni nga Kina dhe keni ardhur për vizitë në Jugosllavi ateherë këtu kemi EDHE Institutin për Studime Shqiptare.”

Kësodore UP-ja s’ishte triumf vetanak  e i vetëreferuar i shqiptarëve, por njëfarë kënaqje me një karrotë që i shërbente paqes sociale, përkatësisht konstituimit të njeriut të ri, jugosllav, proletar e socialist, që në Universitet mëson shqip. Kjo meqë UP-ja s’mund të lexohet vetëm si institucion kosovar, por parasëgjithash jugosllav.

Pra kemi të bëjmë me a) themelimin e një universiteti në Prishtinë, që s’mund të imagjinohej i pavaruar nga autoritetet e pushtetit dhe nga vija ideologjike zyrtare, b) që s’ishte vetëm i shqiptarëve (por që shqiptarët si  popullsi shumicë e vendit e dominuan me studentë) , c) ku shqipja ishte vetëm NJËRA nga gjuhët në të cilën zhvillohej mësmi (mësimi në amtare s’është garancë e prodhimit të patriotëve, repsektivisht patriot mund të jesh edhe pa mësuar në amtare), dhe d) ku s’lejoheshin ide subverzive. Pra katër negacione të mundësisë së qenies së shqiptarit në vete dhe për vete, në favor të disa lirive të kontrolluara.

Fundja,  a e garanton Universiteti civilizimin ? Përkundrazi. Nuk e ka fuqinë ta ndalojë madje as pogromin ndaj të tjerëve, e ndodhë të bëhet ndihmues i tij. A nuk e kishin serbët Universitetin që nga 1808 kur kryen Sebrenicën? A nuk ngjau Aushvici sa ishin gjallë Einsteni, Shrodingeri, Jaspersi, Hajdegeri e Huserli?

Edhe truku tjetër i thirrjes në kulturë është nostalgjik. Kjo sepse të qenit e shqiptarëve dhe Shqipërisë kulturalisht më të pazhvilluar se Jugosllavia nuk është gjë që u determinua nga fati post 1945, pra nga  pozicionimet orientimore të pas Luftës së Dytë Botërore,  por nga  thellësitë historike. Shqipëria ishte prapa Jugosllavisë edhe kur sundohej nga Zogu, që ishte krejt antibolshevik. Pra ishte edhe prapa Jugosllavisë Mbretërore brutale me shqiptarët. Nuk e di  a shohin si fat nostalgjikët ngeljen jashtë Shqipërisë edhe më 1913/1918?

Nga e tërë ajo çfarë kam lexuar  nga filozofia kontinentale, nocionet “’kulturë” e “politikë” asnjeherë nuk më kanë ngjarë vendimtarisht të ndara. Si mund ta ndash Simfoninë e Pestë të Betovenit nga Revolucioni Francez? E megjithatë as në Europë kultura s’ka pasur ç’ti bëjë shpesheherë faktit kokëfortë se tanksi nuk pyet për avangardë, por duhet t’ia dish orën. Kurse ajo që bëri Jugosllavia ishte pikërisht një ndarje e tillë, e shpjeguar mbase vetëm në terma gramschian: trego dëgjueshmëri politike, ja ku e ke kulturën.

Kjo mbase shëmbëllehet më së miri tek folklori. Kjo shtyllë e oposit gojor e të shkruar, u racionalizua, e u institucionalizua. U krijua Ansambli i Këngëve dhe Valleve “Shota”, respektivisht folkloristi si studiues. Rrjedhimisht “Kur ta ktheva Kosovë shpinën”, i’a lëshoi vendin “Komandant Lleshit”.

Nostalgjikët na kujtojnë se Jugosllavia i paska çuar në ekskurzione në Europën. Po, disa të privilegjuar për kah statusi social edhe i ka çuar. Por kjo pas 200 mijë të dëbuarve për Turqi vetëm një dekadë më herët. S’e kemi pasur Bekim Fehmiun, “Gjurmët”, Gazmend Pallaskën, Besnik Krajkun, “Akordet e Kosovës”…edhe ? Xhamaika nxorri Bob Marleyin, por Bob Marley nuk e pavarësoi Xhamaikan nga sundimi britanik.

Ngjashëm si Jazzi e Blues, që nuk e çliruan Afrikën, anipse solistët ishin me origjinë afrikane. Ç’i kreu punë Austro-Hungarisë tradita e lashtë habsburge e hungareze më 1918? Ku mbetën Mozzarti, Hajdëni, Listi e Frojdi që nuk e shpëtuan Mbretërinë Duale? Po të shpëtonte të paktën s’do të kishim Jugosllavi të Parë…

Shpërndaje në: