Marrëveshja për ushtrinë në veri- Pse po e respekton Kurti një marrëveshje të cilën e ka çuar në Prokurori?
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot tha se e respekton marrëveshjen e Brukselit, e cila ndalon Forcat e Sigurisë së Kosovës të jenë prezente në katër komunat veriore pa pëlqimin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë (KFOR). Megjithatë, Kurti e kishte çuar në Prokurori këtë marrëveshje, të arritur nga Hashim Thaçi. E thoshte vetë në Kuvendin e Kosovës.
Ne po e respektojmë letrën e pararendësit tim, ndonëse unë as s’e kam mirëpritur e as s’më pëlqen, por e respektojmë, Në veri kemi KFOR-in dhe Policinë e Kosovës. A do të ishte më mirë, më sigurt të ishte ushtria e Kosovës? Po, por ne respektojmë atë zotim të pararendësit (Hashim Thaçi)”, deklaroi Kurti sot në konferencë për media, kur u pyet nëse do të mund të ishte parandaluar sulmi terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit në Zubin Potok, shkruan Insajderi.
Madje, ai u shfajësua duke thënë se sulme të tilla ndodhin edhe në vende perëndimore.
“Këso sulmesh u ndodhin edhe vendeve demokratike-perëndimore, madje do të thosha edhe më shumë se neve. Por imagjinata terroriste-kriminale e sponsorizuar nga një shtet që është më i madh sesa i yni e me traditë të gjatë e të gjerë të këso lloj sulmesh, e që e ka aleat të ngushtë Federatën Ruse, e kanë bërë këtë gjendjen në të cilën ne ndodhemi”, u shpreh Kurti.
Kurti edhe në rastet e mëhershme të krizave nga veriu ka tentuar të fajësojë atë që ai e quan “marrëveshja Thaçi-Daçiq”, e cila ndalon prezencën e Forcës së Sigurisë së Kosovës në katër komunat veriore.
Kurti më 2021-ën ishte i pyetur rreth marrëveshjes ndërmjet Thaçit dhe sekretarit të Përgjithshëm të atëhershëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmussen në vitin 2013. Ai e kishte cilësuar atë si të dëmshme. Kurti kishte thënë se këtë marrëveshje e ka dërguar në Prokurori.
“Marrëveshja në fjalë që ka qenë një shkëmbim i letrave që ju e përmendet ka qenë dhe vazhdon të jetë e dëmshme për interesat e qytetarëve të Kosovës. Unë vazhdoj t’i qëndroj pas asaj që kam thënë në vitin 2020″.
“Unë nuk kam akuzuar Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-së për shkëmbim të letrave dhe nuk mund të kërkojë llogari prej tij. E kam akuzuar titullarin e mëhershëm të institucioneve të Republikës së Kosovës që kam dhënë firmën në një shkresë të tillë. Një problem që i ka rrënjët 8 vite më parë nuk mund të adresohet e rregullohet me një takim të vetë. Atëherë çështjen e kam referuar në prokurori dhe i mbetet prokurorisë“, kishte thënë ai.
Kurti më 2020-ën e kishte publikuar një letër ku pretendonte se Thaçi në vitin 2013 në cilësinë e kryeministrit të Kosovës, kishte bërë marrëveshje sekrete me NATO-n, që FSK’ja nuk do të hyjë në veri të Kosovës.
Ai thoshte se ekzistojnë arsye të qarta për shkarkimin e Thaçit, për shkeljen e kushtetutës duke nënshkruar një marrëveshje të fshehtë me NATO-n që kufizon kompetencat e FSK’së.
“Ekzistojnë prova të mjaftueshme për të konstatuar prima facie se presidenti Thaçi, kryeministri i atëhershëm, ka bërë shkelje të rënda të Kushtetutës së Kosovës dhe se shkelje të tilla justifikojnë fillimin e procedurës kushtetuese për shkarkimin e tij nga pozita e presidentit”, thuhej në një letër të tij si kryeministër.