Marksi çohet prej varrit në stilin e Jezu Krishtit: Pse ndodhi kjo?
Çka është në të vërtet socializmi? Dhe kah po shkon? Stephen Bush, redaktor politik në “The New Statesman” ndan qëndrimet e tij.
Në vazhdim keni përkthimin e Periskopit të tekstit të videos së BBC [seksioni: Ideas].
What is socialism_ A stab at a definition – BBC Ideas
Socializmi si ide ka ekzistuar që nga antikiteti – me disa mendimtarë që thonë se edhe mësimet e Jezu Krishtit dhe të profetit Muhamed, ishin po ashtu socialiste.
Socializmi në thelbin e tij është ide që thotë se kur një biznes ecë mirë, punëtorët dhe jo pronarët duhet t’i marrin meritat dhe frytet e këtij suksesi. Kjo zbatohet pavarësisht nëse biznesi në fjalë është fermë, bankë, kompani e medieve sociale apo çkado tjetër që gjeneron profit.
Por, si të arrihet një gjë e tillë?
Këtu puna bëhet lëmsh.
Për disa socialistë, mënyra më e mirë që të arrihet ky qëllim është që punëtorët të bëhen pronarë. Kjo do të bëhej përmes bashkëpunimit, ku punëtorët kolektivisht e pronësojnë ndërmarrjen e caktuar dhe e ndajnë mes vete fitimin.
Ose tjetra: Qeveria futet në lojë dhe e nacionalizon biznesin e caktuar, siç bëri kryeministri Clement Attlee duke nacionalizuar shërbime të caktuara duke nisur prej zyrave postare e deri te hekurudhat.
Për të tjerë socialistë, nuk ka rëndësi të madhe se kush e ka pronësinë mbi një biznes. Përmes taksimit të të pasurve dhe përdorimit të atyre parave për të paguar shkollat, spitalet dhe transportin, dhe duke e vendosur një nivel minimum për atë se sa duhet paguar një punëtor, përfitimet e biznesit mund të rishpërndahen nga pronarët te ata që bëjnë punë të madhe që kjo të ndodh. Ose, siç thoshte socialistja franceze Segolene Royal: “Në mënyrë që pasuria të rishpërndahet, ajo duhet të krijohet së pari.”
Socializmi në të vërtetë u bë teori konkrete vetëm në shekullin e 19, kur filozofi e ekonomisti Karl Marx tregoi se cila ishte forca shtytëse prapa revolucioneve që po ndodhnin në Evropë. Kjo ndihmoi në frymëzimin për krijimin e një numri të madh partish politike përgjatë kontinentit, përfshirë Partinë Laboriste të Britanisë.
Pas kësaj, socialistët u ndanë në dy grupe: socialdemokratët, që donin modelimin e sistemit global ekonomik, i cili do të punonte në mënyrë të ngjashme si kapitalizmi por ku do të përfitonin punëtorët dhe jo vetëm shefat e tyre, dhe komunistët, që kërkonin zëvendësimin e rendit global ekonomik me një formë krejtësisht të re.
Disa thonë që problemi me idealet socialiste është zhvillimi njerëzor i bazuar në motivin e profitit – ne bëjmë gjëra në mënyrë që të përfitojmë vetë ne dhe familjet tona, por jo njerëzit e tjerë. Duke e hequr profitin e ndërmarrjeve prej shefave, atëherë i shkëpusim të gjithë nga puna dhe po të gjithë bëhemi të varfër, shefa e punëtorë bashkë.
Disa socialistë mendojnë se kjo kritikë është e vërtetë. Ata kërkuan kësisoj një formë tjetër të socializmit ku do të përfitonin edhe shefat por edhe punëtorët. E quajtën “Rruga/Forma e Tretë” – diçka mes socializmit tradicional dhe tregjeve krejtësisht të lira që mbështeteshin prej partive të djathta në vitet ’80.
“Socializmi”, të paktën në mënyrën se si Karl Marxi e kuptonte, është i vdekur e i varrosur. Të paktën derisa kriza globale financiare goditi, e ku kostot punëtorët e pësuan ndërsa shumica e shefave ikën pa therrë në këmbë.
Në fillet e krizës financiare, votuesit u bënë shumë të zemëruar, dhe mbështetësit e “Rrugës së Tretë” u pakësuan. Shumë votues, veçanërisht të rinjtë, filluan të mendonin se ndoshta një rikthim te socializmi i formës së vjetër, dhe jo social-demokracia, ishte rruga përpara.
Socializmi u kthye – dhe mbështetësit politikë të tij i janë kthyer rrënjëve të saj, duke avokuar për katër ditë pune në javë, të ardhura bazike universale, dhe kontroll qeveritar mbi shumicën e hapësirës ekonomike të vendit. Dhjetë vjet pasi versioni socialist i Marksit ishte shpallur i vdekur, ka pëshpërima mbi ringjallen e tij. /Periskopi