Marinimi mund t’ju shpëtojë jetën; rregullat për mishin dhe peshkun
Pjekja e mishit dhe e peshkut e ka zanafillën që kur njerëzit filluan të ndezin zjarrin dhe ne, edhe sot e kësaj dite, vazhdojmë të pjekim dhe na pëlqen shumë kjo gjë. Thuhet që mjeshtër të grilës kanë qenë grekët, të cilët përcaktuan dhe tre rregullat e saj: verë, mish dhe femra. Të kalosh ditën me një grilatë të mire në kopsht, është e këndshme, pasi është një rast i mirë për t’u mbledhur me miq apo të afërm, kurse zonjat do të kënaqen edhe më shumë, sepse grilata, në përgjithësi, është detyrë e të zotit të shtëpisë. Era e mishit të pjekur që mbush gjithë kopshtin, bën që të na shkojë goja lëng ende pa u ulur në tavolinë. Ama, që kjo drekë ose darkë të jetë e përsosur dhe të kënaqemi të gjithë, duhet t’u kushtojmë vëmendje disa detajeve. Fillimisht, duhet të vendosim se çfarë do të pjekim: mish, peshk apo perime. Nëse duam mish të bardhë, fillimisht duhet ta marinojmë, në të kundërt, mund të thahet gjatë pjekjes. Nëse duam të bëjmë grilatë peshku, mund të përdorim çdolloj peshku, përfshirë edhe frutat e detit. Nuk mund të mungojnë limoni, vaji i ullirit, uthulla, gjethet e rozmarinës, dafina, sherbela, piperi e majdanozi.
Marinimi për mishin e bardhë
Në një tas, përziejmë 130 g kos, 1 lugë të vogël curry, majdanoz të grirë, lëngun e një limoni, piper kokërr dhe një thelb hudhër në copa. Më pas, hedhim copat e mishit, i përziejmë dhe i lëmë të marinohen për 2 orë në një mjedis të freskët.
Marinimi për peshkun
Marinimi i zakonshëm: e vendosim peshkun në një enë. Më pas, shtojmë pak majdanoz të grirë, hudhër të grirë, lëng limoni dhe gjethe trumze (nëse i keni). Shënim: në të gjitha rastet, përpara se mishi të piqet në grilë, duhet të kullohet mirë nga lëngu i marinimit, si dhe të thahet me letër thithëse kuzhine.