Maqedonia e Veriut jashtë kontrollit: Shumë klube, pak licenca

Në fund të muajit qershor të vitit të kaluar në Shkup kishin mbetur vetëm tre objekte hotelierike që mund të funksiononin ligjërisht pas mesnatës, gjegjësisht pas orarit të punës të paraparë për kafenetë dhe restorantet. Këtë e tregojnë të dhënat e fundit për licencat e lëshuara për veprimtari hotelierike të publikuara në uebfaqen e Ministrisë së Ekonomisë dhe Punës, shkruan Prizma, transmeton Periskopi.
Dy nga këto vende kanë qenë të regjistruara si kabare dhe një si disko klub i hapur. Dy ndodhen te Parku i Qytetit, ndërsa një në afërsi të Teatrit “Komedia”. As edhe një objekt tjetër në kryeqytet që gjatë asaj periudhe ka pranuar klientë pas mesnate ose pas orës 1 në fundjavë nuk nuk ka punuar ligjërisht.
Por, krahas këtyre vendeve ka pasur edhe vende të tjera ku janë mbajtur festa gjatë natës, për këtë ka shumë dëshmi të shumta në rrjetet sociale, duke përfshirë këtu edhe reklamat e publikuara nga vetë klubet që nuk janë në listën e poseduesve të licencave.
Dokumenti i Ministrisë së Ekonomisë përmban të dhëna nga viti 2017 deri në mesin e vitit 2024. Nga ai mund të shihet se çdo vit në mbarë vendin janë lëshuar rreth tridhjetë leje të këtilla për objektet hotelierike si kabaretetë, klubet e natës, disko klubet dhe disko klubet e hapura (të vetmet që mund të punojnë natën), me përjashtim gjatë viteve të pandemisë, 2020 dhe 2021, kur numri i lejeve ra në vetëm shtatë dhe dymbëdhjetë. Numri më i madh i licencave, 39 licenca, janë lëshuar në vitin 2017, në vitin 2023 numri i tyre ishte 33, ndërsa në gjysmën e parë të vitit 2024 – 16.
Këto dokumente për punë lëshohen çdo vit, ndërsa kompanitë që menaxhojnë objekte të tilla hoteliere kanë për obligim që t’i rinovojnë ato pasi tu ketë kaluar afati. Nga lista e Ministrisë shihet se shumë klube dhe kabare nuk e bëjnë këtë gjë rregullisht, pra kanë “hendeqe” nga një licencë deri tek tjetra. Për shembull, pesë objekte të njohura në Shkup, të cilat kanë marrë licenca në gjysmën e parë të vitit 2023, nuk i kanë rinovuar ato në vitin 2024. Por nuk ka të dhëna nëse vërtet nuk kanë punuar në periudhën për të cilën nuk kanë pasur dokumente.
Diskoteka Puls në Koçan, në të cilën nga zjarri jetën e humbën 59 persona, ka marrë licencë në vitin 2021, pastaj në vitin 2023. Sipas dëshmive të shumta, diskoteka ka punuar gjatë gjithë kohës.
Ndërkohë nga Ministria e Ekonomisë për BIRN thanë se për momentin kanë lëshuar gjithsej 24 licenca aktive, nga të cilat 20 për kabare, dy për disko klube dhe dy për disko klube të hapura. Pesë kërkesa të tjera po procedohen.