Maqedonci e konfirmon dërgimin e “rizotimit, me shkrim” që s’e çon FSK-në në veri
Ministri i Mbrojtjes thotë se nuk bëhet fjalë për “rizotim” se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të shkojë në veri të vendit, pasi komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani tha para disa ditësh se i është konfirmuar nga ai “zotimi” për këtë në formë të shkruar.
Ejup Maqedonci i tha Gazetës Express se qëllimi i një letre që ai ia ka dërguar komandantit të KFOR-it ka qenë sqarimi se angazhimi i një njësie të FSK-së në katër komunat veriore të vendit nuk kishte qëllim tensionimin e situatës atje.
“Qëllimi i letrës ka qenë që të sqaroj Komandantin e KFOR që një angazhim i një njësie të FSK në një ndër katër komunat në veri të Kosovës që ka ndodhur pak ditë para dërgimit të letrës nuk ka pas qëllim tensionimin e situatës”, tha ai.
Maqedonci tha se ia ka sqaruar komandantit të KFOR-it “rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së”, por edhe se ia ka ritheksuar vazhdimin e respektimit të zotimit të bërë më 19 prill 2013 se FSK-ja nuk angazhohet në operacione në veri pa koordinim paraprak me misionin paqeruajtës të NATO-s.
“Në letër kam sqaruar rrethanat e angazhimit të njësisë së FSK-së dhe si gjithnjë që e kam thënë publikisht në media, kam ritheksuar që insitucionet e Kosovës do të vazhdojnë të respektojnë zotimin e bërë më 19 prill 2013 për angazhimin e FSK në operacione në veri pas koordinimit paraprak me Komandantin e KFOR. Letra zotuese e vitit 2013 është dërguar nga ish-kryeministri Thaçi për Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s”, tha Maqedonci.
Çështjet “përmbajtësore të zotimit”, ministri i Mbrojtjes thotë se “adresohen në atë nivel”, kurse në nivelin e tij dhe të komandantit të KFOR-it, tha se është që ta sigurojnë njëri-tjetrin që “do të bëjmë veprimet e nevojshme për të garantuar që angazhimi ynë ushtarak në veri të bëhet në mënyrë të koordinuar”.
“Pra, nuk bëhet fjalë për ri-zotim sepse zotimi i 2013 është bërë në nivel Kryeministri dhe Sekretari të Përgjithshëm të NATO-s. Ne po vazhdojmë të respektojmë zotimin e vitit 2013 të ish kryeministrit, pavarësisht që vlerësojmë që ai zotim ka qenë i gabuar dhe i dëmshëm për ushtrinë tonë”, tha Maqedonci.
Komandanti i KFOR-it, italiani Enrico Barduani, kishte folur në një intervistë për RTK 2 për një zotim në formë të shkruar që e kishte marrë nga ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci për këtë çështje.
“Ky zotim më është konfirmuar, së fundi me shkrim nga ministri Ejup Maqedonci”, ka deklaruar Barduani më 12 dhjetor 2024.