Mandl: Serbia nuk është e besueshme, njohja e Kosovës është e vetmja marrëveshje përfundimtare

Mandl: Serbia nuk është e besueshme, njohja e Kosovës është e vetmja marrëveshje përfundimtare

Eurodeputeti austriak, Lukas Mandl, ka folur për sfidat e zbatimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, ndikimin e mundshëm të administratës Trump dhe situatën e sigurisë në veri të Kosovës.

Sipas Mandl, marrëveshja e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe aneksi i saj i zbatimit më 18 mars në Ohër po përballen me pengesa për shkak të qasjes së Serbisë.

Ai thekson se Serbia nuk ka qenë e besueshme as në çështje të vogla.

“Nëse Serbia nuk sillet e besueshme në gjëra të vogla, si mund të pritet që pala tjetër të ndërmarrë hapa të mëdhenj?” pyet ai.

I pyetur për mundësinë e një marrëveshjeje përfundimtare gjatë mandatit të administratës Trump, ai thotë se “Një marrëveshje përfundimtare mund të nënkuptojë vetëm njohjen. “…Përndryshe, nuk do të ishte përfundimtare.”

Ai thekson se Bashkimi Evropian nuk duhet të presë vetëm nga SHBA-ja, por të angazhohet më shumë për stabilitetin në rajon.

Duke komentuar tensionet e fundit, përfshirë rastin “Banjska” dhe shpërthimin në lumin Ibër-Lepenc, Mandl thekson se status quo-ja nuk i shërben stabilitetit rajonal.

“Çdo person i arsyeshëm dhe i ndërgjegjshëm duhet të punojë për të ndryshuar status quo-në për më mirë,” deklaron ai.

Eurodeputeti austriak thotë se Kosova dhe Serbia nuk duhet të presin që BE-ja ose pala tjetër të ofrojë zgjidhje, por të kenë vetë-iniciativë dhe të paraqesin propozime të arsyeshme për dialogun.

Sipas Mandl, e ardhmja e rajonit varet nga njohja e ndërsjellë, besueshmëria në arenën ndërkombëtare dhe puna e vazhdueshme për forcimin e shtetit të së drejtës dhe arsimit.

Në lidhje me faktin që Milan Radoiçiq vazhdon të lëvizë lirshëm në Serbi, pavarësisht përfshirjes së tij në incidentin e Banjskës, Mandl thekson se ky hezitim i Serbisë nuk është surprizues, duke shtuar se problemi qëndron tek presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

“Por është e rëndësishme të theksohet se po flasim për autoritetet serbe dhe jo për popullin e Serbisë në tërësi,” përfundon Mandl për telegrafin.

 

Shpërndaje në: