Maloku: Kurti nuk mund t’ia imponojë BE-së caktimin e ndërmjetësuesve për dialogun
Takimi i fundit Kurti-Vuçiq në Bruksel përfundoi pa asnjë rezultat.
Pas këtij takimi, kryeministri Kurti, kritikoi emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, duke thënë se i njëjti në raundin e fundit të bisedimeve u ‘pozicionua’ kundër Kosovës.
Në lidhje me këto deklarata të kryeministrit Kurti dhe se a pritet të ketë sukses dialogu me emisarin Lajçak si ndërmjetës, ka folur njohësi i çështjeve politike në vend, Albinot Maloku.
Maloku tha kryeministri Kurti nuk mund t’ia imponojë BE-së caktimin e ndërmjetësuesve për dialogun.
Ai tha se nëse kryeministri do ta deklaronte që nga fillimi se ndërmjetësuesi është i njëanshëm dhe ta ruante premtimin se dialogu do të jetë prioritet i shtatë, do të kishte logjikë reagimi i tij.
“Duhet pasur parasysh që kryeministri Kurti, si kushdo tjetër të ishte në vend të tij, nuk mund t’ia imponojë BE-së caktimin e ndërmjetësuesve për dialogun. Jo të paktën në këtë momentum. Diagnoza e problemeve të këtij procesi pa ofruar kurën e alternativën, gjithmonë duke pasur në mëndje akterët aktual të forcave, siç po bënë kryeministri i vendit, duket se më shumë po tregon për mendësi regresiste sesa të një demokracie progresiste të tij si drejtues i qeverisë”.
“Sikur ta thoshte fare në fillim në kohën kur pritej ta udhëhiqte procesin, se ndërmjetësi është i njëanshëm dhe ta ruante premtimin për dialogun prioritet i shtatë, do të kishte logjikë politike shpërthimi i tij. Domethënë kreu i qeverisë, drejtuesi i procesit të dialogut nga pala kosovare, tek tash e zbuloi se Lajçak është proserb, pra i anshëm dhe jo objektiv?” tha Maloku për Gazetën Blic.
Ai tutje shtoi se konferenca që u mbajt dje nga kryeministri Kurti tregoi pala kosovare nuk ka momentalisht ndonjë opsion.
‘Dialogu, andaj ka mbetur në vend-numëro dhe konferenca e djeshme dëshmoi që pala kosovare nuk ka momentalisht ndonjë opsion” deklaroi analisti Maloku.
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka bërë një deklaratë sot, pas takimit të dialogut Beograd-Prishtinë të javës së kaluar.
‘Sipas deklaratës së tij, të dyja palët duhet të fillojnë zbatimin në bazë të Propozimit të BE-së të rënë dakord në fillim të këtij viti pa vonesa të mëtejshme, ndërsa puna për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe duhet të fillojë pa ndonjë parakusht tjetër .