Malisheva e befason Prishtinën, Llapi fiton në ndeshjen e parë në stadiumin e rinovuar
Malisheva ka arritur fitore ndaj Prishtinës, duke e mposhtur me rezultat 2:1, në kuadër të javës së 19-të në Superligë.
Malisheva kështu arrin fitore pas dy ndeshjeve pa triumfuar, kurse ia shkaktoi Prishtinës humbjen e tretë radhazi.
Goli i epërsisë fillestare për vendasit u shënua nga Mërgim Pefqeli, ish-futbollisti i Prishtinës, që ish-skuadrën e tij e dënoi me gol të shënuar në minutën e 75’ të ndeshjes.
I inkuadruar nga banka rezervë, Ilir Mustafa, shënoi për 2-0 në minutën e 90+4’, e krejt në fund Prishtina e ngushtoi rezultatin në 2-1 (90+6’) falë penalltisë së ekzekutuar saktë nga Besnik Krasniqi, por për barazim eventual ishte vonë dhe ndeshja u mbyll me fitoren e Malishevës.
Me këtë fitore, Malisheva shkon në kuotën e 22 pikëve dhe tani i ikën katër pikë vendeve të fundit.
Kurse, kampionia në fuqi, Prishtina mbetet e pesta me 24 pikë gjithsej.
Në ndeshjen tjetër në Podujevë, Llapi triumfoi pastër 2:0 ndaj Ulpianës në ndeshjen e parë në stadiumin e rinovuar, “Zahir Pajaziti”.
Lipjanasit e zgjerojnë krizën e tyre, duke shkuar në gjashtë ndeshje radhazi pa shënuar fitore.
Kurse, Llapi e vazhdon serinë e ndeshjeve pa humbje, duke e çuar në tetë. Prej tyre ka dy barazime dhe gjashtë fitore.
Alban Shillova realizoi golin e parë në minutën e 53-të, kurse 10 minuta më pas u realizua një autogol.
Me këtë fitore, Llapi ngjitet në kuotën e 32 pikëve në vendin e katërt, katër më pak se Gjilani e Ballkani dhe pesë më pak se Drita.
Ulpiana në anën tjetër mbetet e parafundit me 18 pikë të grumbulluara.